Rusi: Pritet që Sharapova të angazhohet në Olimpiadën në Brazil

Maria Sharapova gjatë konferencës së djeshme për gazetarë në Los Anxhelos

Shefi i Federatës së tenisit në Rusi, Shamil Tarpishchev, tha sot se pret që tenistja, Maria Sharapova, ta përfaqësojë vendin e saj në Lojërat Olimpike në Brazil, që mbahen këtë vit.

Këto komente u bënë një ditë pasi Sharapova është pezulluar përkohësisht nga gara, pasi testet e saj kanë dalur pozitive për përdorim të një substance të ndaluar.

Maria Sharapova, pesë herë fituese e turneve Grand Slam, tha dje se ka dështuar në testin e drogës në turneun, Australian Open, në muajin janar, për shkak të substancës Meldonium, që ajo e ka përdorë për çështje shëndetësore.

Ky ilaç përdoret për trajtimin e diabetit dhe nivelit të ulët të magneziumit, ndërsa disa shkencëtarë e kanë lidhur atë me formën e saj sportive dhe qëndrueshmërinë në rritje.

Kjo substancë është e ndaluar nga Agjencia Botërore Kundër Dopingut prej 1 janarit të këtij viti.

“Mendoj se kjo është ngarkesë absurde”, tha Shamil Tarpishchev, gjatë një interviste për agjencinë ruse të lajmeve, TASS.

“Sportisët e marrin atë që u japin fizioterapistët dhe mjekët. Mendoj se Sharapova do të luajë në Olimpiadë, por ne duhet të shohim se si do të zhvillohet kjo”, tha Tarpishchev.

Prodhuesi më i madh i veshmbathjeve sportive në botë, kompania Nike, ka njoftuar se “është e brengosur dhe e befasuar” nga lajmi për Sharapovën dhe tha se lidhjet e kompanisë me këtë sportiste janë në pritje.

Kompania e njohur zvicerane e orëve, TAG Heuer, ka shpallur sot se është tërhequr nga sponsorizimi i Sharapovës.

Tenistja Maria Sharapova, 28 vjeçare, do të jetë përkohësisht e suspenduar prej 12 marsit, ka njoftuar Federata Ndërkombëtare e Tenisit.