Dikur bombardonte mbi Serbi, tash është nominuar për shef të Forcës Ajrore

Gjenerali David Goldfein

Gjenerali David Goldfein është nominuar për postin e zyrtarit më të lartë të Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pothuajse 17 vitepasi i mbijetoi goditjes së aeroplanit luftarak F-16, përderisa po merrte pjesë në një mision luftarak që bombardonte mbi Serbi.

Vendimi i sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter, u bë i ditur dje nga Pentagoni. Nëse miratohet nga Senati, Goldfein do ta zëvendësojë gjeneralin Mark Welsh, i cili do të dalë në pension në muajin korrik, pas shërbimit si shef i Forcës Ajrore që nga gushti i vitit 2012.

“Nëse konfirmohet ky nominim, unë zotohem që t’u shërbejë pjesëtarëve tanë dhe familjeve të tyre pa hezitim dhe do ta respektojë trashëgiminë e jashtëzakonshme të integritetit, shërbimit dhe përsosmërisë”, citohet të ketë thënë gjenerali Goldfein, pas shpalljes së nominimit.

Përveç gradave të larta në Forcën Ajrore, Goldfein ende njihet për përvojën e tij në pilotimin e aeroplanëve ushtarakë. Ai shpesh e ka rrëfyer tregimin për natën kur një raketë shpërtheu në afërsi të aeroplanit të tij luftarak në Beograd, më 2 maj të vitit 1999, në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e NATO-s po kryenin sulmet ajrore kundër forcave serbe, për shkak të krimeve të mëdha të tyre në Kosovë dhe Ballkan në përgjithësi.

Atë natë, Goldfein kishte dalë nga aeroplani i tij F-16 dhe ishte lëshuar me parashutë në një fushë të hapur në Kosovë. Dy orë më vonë, ai ishte gjetur nga një ekip shpëtimtar dhe ishte marrë me një helikopter.