Drejtori i FBI-së dëshmon për emailet e Clintonit

Drejtori i FBI-së, James Comey.

Republikanët në Shtetet e Bashkuara kanë ftuar drejtorin e FBI-së, James Comey, të dëshmojë për përdorimin e emailit privat nga Hillary Clinton, në kohën kur ka qenë sekretare shteti.

Comey duhet të shpjegojë se përse ka rekomanduar që Clinton, kandidate demokrate për presidente, të mos ndiqet penalisht.

Ai do të dëshmojë sot para Komitetit për Mbikëqyrje dhe Reformë Qeveritare, të udhëhequr nga republikani Jason Chaffetz.

Comey ka thënë se Clinton ka qenë e pakujdesshme në trajtimin e informacioneve të ndjeshme, porse nuk mund të ngrihet padi, pasi nuk ka prova se ajo ka vepruar qëllimisht.

Mbi 100 mesazhe të klasifikuara janë gjetur në serverët e emailit të Clintonit, ka konformuar FBI.

Sipas ligjit federal amerikan, korrespondenca e zyrtarëve konsiderohet pronë qeveritare e Shteteve të Bashkuara.