Kosova i frikësohet ratifikimit të marrëveshjes për tregti të lirë me Turqinë

Ilustrim

Kosova e ka lënë në sirtarë, të pa ratifikuar, marrëveshjen për tregti të lirë më Turqinë, që nga viti 2013, përderisa shteti turk e ka ratifikuar marrëveshjen që moti.

Marrëveshja për tregti të lirë më Turqinë, sipas ekspertëve, vë në pah disbalancet tregtare mes dyja shteteve, marrë parasysh fuqinë e madhe ekonomike e tregtare që ka Turqia në krahasim me Kosovën.

Eksportet e këtij shteti në Kosovë në vit kapin vlerën e rreth 250 milionë euro, derisa eksportet e Kosovës në Turqi nuk janë më shumë se rreth 10 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Turqia gjatë viteve të fundit, po ashtu është shteti i cili ka realizuar pjesën më të madhe të investimeve në Kosovë. Vetëm në vitin 2015, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Turqia ka investuar në Kosovë mbi 57 milion euro.

Ndërkohë që marrëveshja për tregti të lirë me Turqinë e nënshkruar në vitin 2013, por e cila nuk është ratifikuar ende në Kuvendin e Kosovës, besohet se do të rriste këto shkëmbime tregtare.

Në takimet mes zyrtarëve të Turqisë dhe Kosovës të cilat janë zhvilluar gjatë këtyre ditëve në një forum për investime dhe tregti Kosovë - Turqi, është diskutuar edhe rreth marrëveshjes për tregti të lirë.

Ministri i Ekonomisë së Turqisë, Nihat Zeybekci, sipas medieve turke, citohet të ketë thënë se “interesi kompanive turke do të rritej me një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kosovën”.

Marrëveshja për Tregti të Lirë me Turqinë ishte nënshkruar në vitin 2013 në atë kohë nga ish ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila dhe ish ministri i Ekonomisë së Turqisë, Zafer Caglayan.

Megjithatë, një marrëveshje e tillë sipas kryetarit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa, nuk është proceduar asnjëherë në Kuvend.

Por, që në momentin kur të procedohet, thotë Mustafa do të trajtohet si të gjitha marrëveshjet tjera.

“Kjo është një çështje e ndërlidhur edhe me pozitën e eksportuesve apo prodhuesve tanë brenda, por edhe me investimet. Nëse kemi marrëveshje për tregti të lirë mund të nxisim më shumë investime. Marrëveshjet janë në favor të investimeve, por mund të jenë problematike për industritë tona të reja të cilat nuk kanë aftësi konkurruese. Por, këto industri ne mund t’i mbrojmë në përmbajtjen e marrëveshjes për një kohë të caktuar ashtu siç është edhe në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit”, thotë Mustafa.

Marrëveshja për Tregti të Lirë gjatë momentit të nënshkrimit, në vitin 2013, ishte vlerësuar se do të ndihmojë zhvillimin e bizneseve dhe ngritjen e investimeve të huaja.

Tarifa doganore, sipas marrëveshjes, do të eliminohej menjëherë për një numër të madh të produkteve, kryesisht atyre industriale duke i bërë ato më të lira për konsumatorët.

Përfaqësues të organizatave ekonomike në Kosovë e konsiderojnë këtë marrëveshje si të dëmshme për Kosovën.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtimeve të Avancuara (GAP), Agron Demi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se ka qenë gabim nënshkrimi i një marrëveshje të tillë. Sipas tij, në formën se si është, ajo nuk do të duhej të ratifikohej, pasi që Kosova do të humbte nga të hyrat doganore.

“Vetëm në periudhën janar – gusht të këtij viti janë importuar rreth 174 milionë euro mallra nga Turqia. Po të ishte kjo marrëveshje në fuqi, buxheti i Kosovës do të humbte të hyrat doganore.

"Duke marrë parasysh edhe MSA-në, Kosova humb rreth 70 milionë euro në vit dhe nëse i shton kësaj edhe 30 milionë euro që do ti kishte humbje nga marrëveshja për tregti të lirë me Turqinë do të krijohej një deficit i lartë buxhetor prej 100 milionë euro në vit. Kjo shumë nuk do të mund të mbulohej për një periudhë afatshkurtër”, thekson Demi.

Njëkohësisht marrëveshja garanton heqjen e menjëhershme të tarifës doganore nga Turqia për të gjithë prodhuesit kosovarë që do të eksportojnë mallra industriale në Turqi.

Të gjitha produktet industriale kosovare dhe një numër i madh i produkteve bujqësore do të lejohen të hyjnë në Turqi me tarifë doganore zero, menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë po ashtu garantonte mbrojtjen deri në 10 vite të sektorëve të ndjeshëm prodhues në Kosovë nga heqja e doganave për produktet me origjinë nga Turqia.

Për Agron Demin, marrëveshja e tregtisë së Lirë me Turqinë, dëmton edhe prodhuesit e Kosovës.

“Një marrëveshje e tillë e dëmton prodhimin vendor për shkak se do të importohen mallra shumë më lirë nga vendet tjera sesa ato që prodhohen në Kosovë duke pasur parasysh që kompanitë turke prodhojnë për një treg mbi 70 milionësh dhe kanë më shumë përftime prej tregtisë me Kosovën sa që do të kishte përftime Kosova nga kjo marrëveshje me Turqinë”, thotë Demi.

Turqia në masë të madhe ka të shtrirë biznesin e saj në Kosovë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë janë rreth 700 ndërmarrje turke që operojnë në Kosovë në fushën energjetike, ndërtimtarisë, në shëndetësi, në arsim, në sektorin financiar e tjera.

Prania e kompanive turke në Kosovë kishte nisur nga infrastruktura rrugore. Me ndërtimin e autostradave në Kosovë. Po ashtu konzorciumi turk Limak -Çalik privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.

Një konzorcium tjetër ai turko-francez, Limak-Aeroport de Lyon pati marrë me koncesion për njëzet vjet, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Turqia njohi pavarësinë e Kosovës më 18 shkurt 2008, një ditë pas shpalljes së saj. (REL)