Nuk respektohet Ligji për punësimin e personave me nevoja të veçanta

Në institucionet përkatëse të Kosovës, nuk posedojnë të dhëna të sakta rreth numrit të personave me aftësi të kufizuara, përkatësisht nevoja të veçanta.

Por, bazuar në parimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 10 deri në 15 për qind e popullatës në botë e përbëjnë personat me aftësi të kufizuara.

Sipas këtyre matjeve, ekspertët vlerësojnë se në Kosovë mund të ketë rreth 170 mijë deri në 255 mijë persona që i takojnë kësaj kategorie.

Një sfidë e veçantë për personat me aftësi me nevoja të veçanta vazhdon të mbetet punësimi i tyre. Ligji e parasheh që çdo i pesëdhjeti i punësuar, si në institucionet publike ashtu edhe në ndërmarrjet private t'i takojnë kësaj kategorie. Megjithatë, vlerësohet se ky ligj, nuk po përfillet.

Asllan Canolli, i verbër, hyn në kuadër të kategorive të personave me nevoja të veçanta. I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, ai flet për vështirësitë sa i përket punësimit.

Ndonëse thotë se ka kryer kurse të cilat janë organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ai ende pret për një vend pune.

“Duke e marrë parasysh gjendjen ekonomiko - sociale në Kosovë, çdo njeri i aftë për punë ka nevojë për një pagë. Edhe personat me aftësi të kufizuar mund të kontribuojnë. Por, punësimi i tyre është shumë i vështirë dhe pothuajse nuk ndodhë fare. Ndonëse unë kam kryer disa kurse për aftësim, dhe jam i aftë për punë, nuk mund ta gjej një vend pune”, ka thënë Asllan Canolli.

Drejtuesi i organizatës joqeveritare “Hendikos”, Afrim Maliqi thotë se numri i personave me nevoja të veçanta të cilët janë të punësuar, është simbolik, ndonëse nuk ka statistikë të saktë.

Ai ka kritikuar institucionet e vendit se asnjëherë nuk janë marrë seriozisht me mbledhjen e të dhënave se sa persona të kësaj kategorie jetojnë në Kosovë dhe sa janë të punësuar.

“Ne nuk kemi statistika të sakta se sa është numri i personave me aftësi të kufizuara, pasi institucionet nuk janë marrë asnjëherë me këtë çështje. Andaj nuk kemi statistika as se sa persona janë të punësuar. Disa njerëz që janë punësuar e që janë me aftësi të kufizuara, janë punësuar në bazë të konkursit dhe në bazë të aftësive të tyre”.

“Ata punojnë kryesisht në administratë, në njësitë e të drejtave të njeriut. Por, është numër i vogël. Nëpër institucione tjera, ka disa të punësuar, por është numër jashtëzakonisht i vogël. Po e them se mungon një qasje serioze nga institucionet që të formojnë statistika”, ka thënë Maliqi.

Ndryshe edhe në një nga raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku flitet për Kosovën, ndër të tjera është thënë se dhuna dhe diskriminimi shoqëror kundër pjesëtarëve të pakicave etnike, grave, personave me nevoja të veçanta dhe anëtarëve të komunitetit LGBT kanë përbërë shqetësim.

Në Qeverinë e Kosovës, në zyrën për qeverisje të mirë, Habit Hajredini ka thënë kohë më parë për Radion Evropa e Lirë se gjendja e personave me nevoja të veçanta, në përgjithësi, lë për të dëshiruar, ndonëse ndër vite është punuar për këtë kategori të shoqërisë.

Edhe Megjit Foniqi, i verbër, njëherësh kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, ka thënë se pavarësisht faktit që ligji parasheh që personat me nevoja të veçanta duhet punësohen si në institucione publike po ashtu edhe ato private, kjo nuk ndodhë. Sipas tij, deri më tani asnjë institucion nuk është penalizuar për shkak të mos respektimit të ligjit.

“Sa i përket Ligjit për aftësim dhe riaftësim profesional për personat me aftësi të kufizuara parashihet që çdo i 50-ti punëtor të jetë me aftësi të kufizuara. Ai ligj deri më sot nuk është zbatuar me përjashtim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ka punësuar tre prej tyre”.

“Institucionet tjera as për së afërmi nuk i përmbushin kriteret përkundër amandamentimit të ligjit në fjalë që përcakton penalizim për ata që nuk e bëjnë punësimin e personave me aftësi të kufizuara”, thotë Foniqi.

Sidoqoftë, vështirësitë shtohen kur në shoqëri ndjehesh i diskriminuar edhe në arsimim, e lëvizje të lirë, si mungesë e infrastrukturës së duhur.

Tashmë në shumë vende të botës, aftësitë e kufizuara nuk nënkuptojnë që këta persona nuk mund të punojnë dhe kontribuojnë për familjen dhe shoqërinë, por, ata më shumë kanë nevojë për përkrahje institucionale. (REL)