Parlamenti i Hungarisë i ka hedhur poshtë propozimet për amandamente kushtetuese, me të cilat do të ndalohej vendosja e migrantëve në këtë vend.
Gjithsej 131 ligjvënës votuan për këtë masë, ndërsa 3 e kundërshtuan atë, por meqë për miratimin e legjislacionit nevojiteshin 133 vota (dy të tretat), propozimi nuk pat sukses.
Ky votim i sotëm në parlamentin e Hungarisë është pengesa e dytë madhore për kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, që cilësoht si popullist anti-migrant dhe politikan i krahut të djathtë.
Në muajin tetor hungarezët në referendum votuan për refuzimin e kuotave të Bashkimit Evropian për migrantë, por pjesëmarrja e ulët e zhvlerësoi rezultatin.
Përpjekja e kryeministrit Orban për kalim të legjislacionit u bë si reagim ndaj kuotave të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, për të cilat ishte arritur pajtueshmëria vitin e kaluar, e sipas të cilave nëpër gjithë BE-në do të shpërndaheshin 160 mijë migrantë.
Sipas këtyre kuotave, Hungaria duhet t’i pranoj 1,294 migrantë.