Arsyeja e krijimit të kolonave të gjata në vendkalimet kufitare në mes Serbisë dhe Kosovës, është faktori njeri, thotë ministri i Diasporës, Valon Murati.
Me gjithë faktin se pritjet në këto vendkalime të dielën janë zvogëluar, Murati thotë për Radion Evropa e Lirë, se ministria që drejton ai, po bën përpjekje të mjaftueshme që të lehtësojë qarkullimin e shtetasve të Kosovës, të cilët nga vende të ndryshme të Evropës po vijnë në vend për festat e fundvitit.
Kolona dhe pritjet e gjata janë krijuar në hyrje nga Serbia në Kosovë.
“Një faktor është përqendrimi shumë i madh i qytetarëve në pikën kufitare në Merdarë. Ne kemi bërë thirrje që të shfrytëzohen pika tjera kufitare për të hyrë në Kosovë. Mirëpo, një problem tjetër ka qenë edhe ky njerëzor. Policia serbe ka punuar me kapacitete normale të reduktuara në një kohë emergjence”, thotë Murati.
Krijimi i këtyre kolonave në territorin e Serbisë ndodh edhe për shkak të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shton Murati.
“Në këto situata dhe këto momente kur ne kemi pasur tensione kohëve të fundit, ka pasur një mungesë të komunikimit, pak më normal. Sidoqoftë ne jemi detyruar, unë së paku si ministër, që t’i shfrytëzoj të gjithë mekanizmat dhe të bëj presion që bashkatdhetarët tanë kur vijnë, mos le t’iu ndodhë kjo që po iu ndodh”, thekson ai.
Për fluksin dhe pritjet e gjata që po ndodhin në vendkalimet kufitare mes Serbisë dhe Kosovës, ministri Murati thotë se e ka njoftuar edhe Brukselin zyrtar.
Sidoqoftë, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thuhet se të dielën, pritjet më të gjata, deri në dy orë po ndodhin në vendkalimin te Dheu i Bardhë, kurse në Merdarë deri në një orë.
Përveç vendkalimit kufitar Kosovë - Serbi, kolona të gjatë të veturave, sipas ministrit Murati ka edhe në kufirin e Kroacisë dhe Hungarisë. Ai, ndërkaq, potencon se janë në kontakt me zyrtarë të institucioneve shtetërore të Kosovës, në këto shtete që të bëhet një zgjidhje për këtë çështje.(REL)