Irak: Beteja e vështirë për Mosulin perëndimor fillon ditëve të ardhshme

Ilustrim

Pasi kanë arritur të rimarrin pjesën lindore të qytetit irakian, Mosul, ushtria e Irakut po përgatitet për fazën e re të betejës për rimarrjen e plotë të qytetit të dytë më të madh të këtij shteti.

Mosuli perëndimor, pjesa që kontrollohet nga luftetarët e grupit Shteti Islamik, karakterizohet nga rrugë të ngushta që e bëjnë gati të pamundshme për tanket dhe automjetet e tjera të blinduara të lëvizin në atë zonë, duke ia marrë një pjesë të madhe të avantazhit ushtrisë irakiane. 

Sidoqoftë, oficerët thonë se janë të përgatitur për të bërë hapin e radhës. 

“Ne presim që të hyjmë në pjesën perëndimore gjatë ditëve të ardhshme”, ka thënë Lejtnant Gjeneral, Abdul Wahab al-Saad për Reuters. 

Rreth 100 mijë trupa irakiane, pjesëtarë të forcave kurde të sigurisë dhe luftetarë shiit po marrin pjesë në betejën e Mosulit, të ndihmuar nga sulmet ajrore të koalicionit që udhëhiqet nga SHBA-ja. 

OKB vlerëson se 750 mijë njerëz vazhdojnë të jenë brenda pjesës perëndimore të qytetit. 

Gjenerali i ushtrisë amerikane, Joseph Martin i ka thënë Associated Press se “Mosuli perëndimor do të jetë po aq i vështirë për tu fituar sa Mosuli lindor, dhe nga këndvështrimi jonë, ndoshta edhe më vështirë”. 

Ushtria amerikane ka thënë mbrëmë se aeroplanët e koalicionit gjatë kësaj jave e kanë goditur flotën me 90 anije të grupit militant, Shteti Islamik, anije këto që përdoreshin nga militantër pët tu larguar nga Mosuli lindor, duke e shfrytëzuar Lumin Tigris.