Kremlini reagon i përmbajtur ndaj planit amerikan për “Zona të Sigurta” në Siri

Kremlin - Moskë

Rusia ka reaguar e përmbajtur ndaj planit amerikan për krijimin e “zonave të sigurta” në Siri, duke thënë se Uashingtoni nuk është konsultuar me Moskën në këtë çështje dhe se të gjitha pasojat e mundshme duhet të ekzaminohen.

Presidenti amerikan, Donald Trump më 25 janar tha se synon të ngrejë “zona të sigurta për refugjatët në Siri", si pjesë e planit të tij për të kufizuar migrimin në SHBA.

Sipas një dokumenti që e ka parë Reuters, Trump pritet që brenda pak ditësh ta urdhërojë Pentagonin dhe Departamentin e Shtetit të hartojnë një plan për këtë brenda tre muajsh.

“Jo, partnerët tanë amerikanë nuk janë konsultuar me ne”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 26 janar.

“Ky është vendim sovran”.

Peskov ka thënë se është e nevojshme që të “bëhen llogari të thella për të gjitha pasojat e mundshme” dhe se “është me rëndësi që ky plan të mos e përkeqësoj situatën me refugjatë”.

Turqia e cila ka kohë që kërkon ngritjen e zonave të sigurta në Siri, ka thënë se po pret që ta shoh planin amerikan.

“Ajo që është me rëndësi është rezultati i këtij studimi dhe çfarë lloji i rekomandimit do të dal prej kësaj”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë së jashtme turke, Huseyin Muftuoglu.