Merkel takohet me Mbretin saudit

Angela Merkel, foto nga arkivi

Kancelarja gjermane Angela Merkel është takuar me Mbretin saudit Salman bin Abdulaziz Al-Saud teksa ka filluar vizitën në Arabinë Saudite, e cila pritet të fokusohet në marrëdhëniet dypalëshe dhe përgatitjet për takimin e radhës së G20-ës.

Mbreti Salman e ka pritur Merkelin në pallatin e tij në qytetij Jeddah, ka njoftuar agjencia shtetërore e lajmeve, SPA. Dy liderët, kanë nënshkruar disa marrëveshje të bashkëpunimit.

Merkel pritet që të diskutojë me zyrtarët sauditë për agjencën e takimit të G20-ës, që do të mbahet në korrik, përfshirë këtu edhe për marrëveshjen për klimën të Parisit, si dhe për vendimet e G20-ës për energjinë.

“Do të merren vendime se si Gjermania mund të mbështetë përpjekjet saudite për të diversifikuar ekonominë dhe për të ulur varshmërinë nga energjia që prodhohet nga djegia e karburantit fosil”, ka thënë një zyrtar gjerman, para vizitës së Merkelit në Arabinë Saudite.

Merkel gjithashtu pritet që t’i bëj thirrje Arabisë Saduite që të ulë tensionet me Iranin.