Ka shkuar në katër, numri i viktimave nga shpërthimi i gazit në një ndërtesë banimi në Volgograd të Rusisë.
Hetuesit kanë thënë se edhe dy trupa janë gjetur në rrënojat e ndërtesës, pasi shpërthimi kishte shkatërruar pjesë të saj.
Tre viktima ishin banorë të ndërtesës, ndërkaq viktima e katërit ishte një punëtor që po riparonte gypat e gazit, ka thënë Komiteti Hetues.
Zyrtarët lokalë kanë thënë se shpërthimi i 16 majit, ka ndodhur për shkak të dëmtimit të gypit të gazit, që me gjasë është shkaktuar kur punëtorët, në mënyrë të paligjshme po tentonin që të lidhnin një tub të ujit.
Autoritetet kanë hapur hetimin për dyshimet se janë shkelur rregullat e sigurisë. Tre të dyshuar janë arrestuar, kanë njoftuar zyrtarët e sigurisë.