Forcat e ushtrisë irakiane kanë parakaluar në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, për të festuar pushtimin e Mosulit.
Mosuli është qyteti i dytë më i madh në Irak, të cilin militantët e grupit ekstremist Shteti Islamik e kishin konsideruar si kryeqytetin e tyre.
Festimet vijnë një javë pasi kryeministri Haidar al-Abadi ka shpallur zyrtarisht “fitoren” në Mosul.
Shteti Islamik e ka mbajtur në kontroll këtë qytet nga viti 2014.
Pasi Abadi ka njoftuar për “çlirimin e plotë” të Mosulit, ai ka njoftuar se do të ketë festime për një javë në Irak.
Festimet janë zhvilluar pavarësisht raportimeve për vazhdimin e luftimeve në mes të forcave qeveritare dhe ekstremistëve të Shtetit Islamik në perëndim të Mosulit.
Njësitet kundër terrorizmit në Irak kanë raportuar se kanë ndalur 20 femra, anëtare të Shtetit Islamik të cilat ishin futur në një tunel të fshehur në pjesën e vjetër të qytetit.
Shteti Islamik pati marrë në kontroll territore të mëdha në vitin 2014, nga qeveria e Irakut dhe Sirisë.
Në atë kohë lideri i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, e kishte shpallur Mosulin si qendrën e kalifatit të tyre në Irak në Siri, në xhaminë ikonike Grand al-Nuri.
Kjo xhami u shkatërrua në qershor, gjatë luftimeve në mes të trupave irakianë që mbështeten nga SHBA-ja dhe militantëve të Shtetit Islamik.
Rusia dhe Observatori Sirian për Drejtat e Njeriut, kanë thënë se Baghdaadi është vrarë gjatë një sulmi ajror, mirëpo zyrtarët irakianë kanë thënë se nuk kanë prova për të konfirmuar një gjë të tillë.