Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se vendi i tij do të reagojë “në mënyrë të përshtatshme” ndaj sanksioneve të reja të SHBA-së.
“Amerikanët po përpiqen të vënë sanksione të reja, të cilat janë joracionale dhe në kundërshtim me frymën e marrëveshjes bërthamore”, tha Rohani.
Të martën, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të vendosin sanksione të reja kundër 18 individëve dhe entiteve për shkak të mbështetjes së tyre për programin e raketave balistike të Iranit dhe aktiviteteve të tjera ushtarake.
Plani është shpallur një ditë pasi Uashingtoni ka konfirmuar se Irani është duke vepruar në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Me këtë marrëveshje me gjashtë fuqi botërore, Irani është pajtuar që të reduktojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
“Nëse amerikanët kalojnë sanksione të reja, me çfarëdo preteksti, kombi i madh i Iranit do të ketë një përgjigje të përshtatshme”, tha Rohani.