Gjykatën Themelore në Prishtinë ka liruar nga arresti shtëpiak katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të akuzuar për sulmin kundër Kuvendit të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar avokati, Tomë Gashi.
“Në seancën e mbajtur sot, më 22.08.2017, Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar katër aktivistët e Lëvizjës Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti nga arresti shtëpiak, respektivisht nga paraburgimi”, ka njoftuar Gashi.
Të katër aktivistët e Vetëvendosjes, tani e tutje do të mbrohen në liri.
Ata dyshohen për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar.
Lidhur me këtë rast, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.