Zyrtarët e Bashkimit Evropian bënë përpjekje të sigurojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë t’i bashkohen BE-së, se bllokut ende qëndron pozitiv për aspiratat e tyre.
Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, tha se Berlini mbështet procesin e pranimit të gjashtë vendeve të rajonit.
"Të gjithë jemi përgjegjës për të siguruar që perspektiva e pranimit në BE mbetet konkrete", tha ai, duke folur gjatë një samiti të Ballkanit Perëndimor, në qytetin polak Poznan.
Në komentet e tij, Roth bëri thirrje, për një hapje të shpejtë të bisedimeve të vonuara të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Muajin e kaluar, shtetet anëtare të BE shtynë një vendim, për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë deri në tetor. Disa anëtarë të bllokut, duke përfshirë Francën dhe Holandën ishin kundër hapjes së negociatave.
Katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që kërkojnë të anëtarësohen në BE, janë Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova.
Në hapjen e samitit dy-ditor, ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz, bëri thirrje për "bashkëpunim më të fortë" midis BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se kjo do të ndihmojë në rritjen e "stabilitetit dhe zhvillimit" të rajonit.
Të premten, samitit do t’i bashkohen krerët e BE-së duke përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministren britanike në largim, Theresa May, kryeministrin francez Edouard Philippe dhe presidentin polak Andrzej Duda.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një statusi në Facebook, bëri të ditur se tashmë ka udhëtuar në Poznan, për të marrë pjesë në Samit.
“Kosova ka qasje konstruktive për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe garantimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe në këtë frymë vazhdon të angazhohet secilën ditë për të ardhmen e përbashkët”, shkroi Haradinaj.
Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, filloi në vitin 2014 me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.