Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka dënuar Rusinë për "shkelje të shumëfishta" të kryera kundër Sergei Magnitsky, një avokat për çështje kundër korrupsionit, që vdiq në vitin 2009 derisa ishte në paraburgim.
Në vendimin e saj, gjykata në Strasburg tha se trajtimi i problemeve mjekësore të Magnitsky ishin "dukshëm të papërshtatshme" dhe "në mënyrë të paarsyeshme e vunë jetën e tij në rrezik".
Gjykata, vendosi njëzëri se avokati ishte keqtrajtuar nga rojet dhe ishte mbajtur padrejtësisht për shumë kohë në paraburgim.
Ministria e Drejtësisë ruse tha se do të konsideronte një apel ndaj vendimit.
Rusisë iu dha urdhër që të paguante 34.000 euro për gruan dhe nënën e Magnitsky.
Magnitsky kaloi gati një vit në burgun Butyrka të Moskës, përpara se të transferohej në një qendër tjetër paraburgimi në kryeqytet, ku vdiq në nëntor të vitit 2009.
Ai u arrestua, dhe u akuzua për evazion fiskal, në nëntor të vitit 2008 pasi ekspozoi një skemë në të cilën zyrtarët dyshohet se mashtronin shtetin rus me 230 milionë dollarë.
Vdekja e Magnitsky në moshën 37 vjeç, nxiti sanksione amerikane dhe të Bashkimit Evropian, duke kontribuar në përkeqësimin e marrëdhënieve midis Moskës dhe Perëndimit.