Duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe mungesën e një vendimi nga Qeveria e Kosovës për heqjen e taksës, senatori amerikan David Perdue, përmes një shkrimi në Twitter ka shkruar se në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.
“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin e bërë historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA. duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka shkruar a senatori Perdue.
Këto komente vijnë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, muajin e kaluar paralajmëroi që nga data 15 mars të heq tarifën ndaj lëndës së parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, masë kjo që nuk u mbështet nga SHBA-ja, e cila kërkon shfuqizimin e plotë të taksës.
Donald Trump Junior, djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka mbështetur këtë deklaratë në Twitter, duke theksuar se "është koha që t'i kthejmë trupat në shtëpi".
Edhe i dërguari i presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, e ka mbështetur deklaratën e senatorit Perdue në Twitter. Grenell vazhdimisht ka kërkuar që Qeveria Kurti t’i shfuqizojë në tërësi masat tarifore dhe të mundësojë vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Po ashtu, deklarata e senatorit Perdue u mbështet edhe nga llogaria zyrtare në Twitter e Këshillit për Siguri Kombëtare në SHBA.
Kurti: Nuk besoj që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova
Pas paralajmërimeve nga zyrtarët amerikanë për mundësinë e tërheqjes së trupave nga Kosova, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se nuk beson që trupat amerikane do të tërhiqen nga vendi.
Edhe nëse trupat amerikane tërhiqen nga Kosova, sipas Kurtit, ky vendim nuk ka të bëjë me tarifën 100 për qind.
“Unë nuk mendoj se KFOR-i amerikan duhet të tërhiqet nga Kosova, përkundrazi dhe besoj se nuk do të tërhiqet nga Kosova. Kemi parë një dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet vendim i presidentit amerikan, sërish nuk ka lidhje me tarifën100 për qind, ka të bëjë me një reduktim të trupave që SHBA-ja e ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri", tha Kurti për mediat, duke shtuar se beson që SHBA-ja do të qëndrojë në Kosovë në të gjitha format e saj shtetërore.
Ndërkaq, më herët gjatë ditës, Kurti po ashtu deklaroi se Kosova dëshiron marrëdhënie edhe më të mira me SHBA-në.
“I kemi aleatë e partnerë të pazëvendësueshëm në aspektin politik, ekonomik, gjeopolitik, kulturor, ushtarak e të tjera. Natyrisht që zyrtarë të ndryshëm mund të kenë diferenca por nuk besoj se këto diferenca do të mund të shndërrohen në kundërthënie apo antagonizma të papajtueshëm. Besoj fuqishëm që Republika e Kosovës dhe SHBA-ja apo kombi shqiptar dhe SHBA-ja i duhen shumë gjatë njëra – tjetrës”, tha Kurti.
Kurti tha se nuk ka informata në lidhje me disa lajme ende të pakonfirmuara që në kuadër të sfidave të Mijëvjeçarit, SHBA tashmë i ka anuluar disa projekte për Kosovën në vlerë prej dhjetëra miliona euro.
Sa i përket heqjes së taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, e cila tashmë është bërë kërkesë kryesore e administratës së presidentit Trump ndaj Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që të vazhdojë dialogu për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti tha se i duhet edhe pak kohë që vendimi në qeveri të jetë me vota unanime.
Thaçi i kërkon qeverisë që urgjentisht ta heqë taksën
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar që Qeveria e Kosovës, urgjentisht të marrë vendime në përputhje me kërkesat e SHBA-së. Ai është shprehur se konfrontimi me Uashingtonin është i dëmshëm “dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës”.
“Mjaft e keni cenuar lidhjen tonë speciale me SHBA-në, pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen. Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se marrëdhëniet me SHBA-në janë në fazë kritike.
Pas deklaratës së senatorit Perdue, Mustafa, partia e së cilit është pjesë e koalicionit qeverisës, ripërsëriti qëndrimin e tij që taksa duhet të hiqet pa kushte.
“S’ka tarifë as reciprocitet që vë në peshojë marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor. Konsideroj se nuk ka zë të popullit në Kosovë që rrezikon dhe i vë në pikëpyetje relacionet me SHBA”, shkruan Mustafa.
Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha se deklarata e senatorit Perdue, për rishikimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë “është më shumë se serioze”.
Ai, përmes një postimi në Facebook, tha se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka nxitur debatin “më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm të marrëdhënieve Kosovë –SHBA”.
Më vonë gjatë ditës, kreu i PDK-së njoftoi se kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme për ditën e nesërme (e mërkurë) duke nisur nga ora 15:00, për të kërkuar, siç u shpreh Veseli "llogari nga qeveria" lidhur me qasjen e saj ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Kurti më 27 shkurt pati propozuar që më 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si "shenjë e vullnetit të mirë" dhe e gatishmërisë “për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”.
Por, propozimi i Kurtit nuk gjeti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e madje as të partnerit të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
SHBA i ka kërkuar kryeministrit Kurtit heqjen e plotë të tarifës dhe me këtë propozim është pajtuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë deklaratë të senatorit Perdue, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për medie ka thënë që raporti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është special, i përjetshëm dhe duhet të kultivohet.
“Unë mendoj dhe kam besim të plotë që relacioni me SHBA-në nuk do të mbetet pre e tekeve apo aspiratave të një politike të ngurtë dhe elektorale ditore, por do të kemi një fokus të vendimmarrjeve të shpejta, të qarta të kultivimit dhe forcimit të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës".
"Ne, të gjithë liderët politik të Kosovës, jemi të zëvendësueshëm. Partneriteti strategjik, i përjetshëm dhe i veçantë me SHBA-në është i përjetshëm. Ai është vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe ky vullnet duhet të zbatohet nga të gjithë liderët politik të Kosovës dhe jo që raporti me SHBA-në të cenohet për shkak të një grushti të votave”, tha Thaçi.
Që nga nëntori i vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind nga Qeveria Haradinaj, Beogradi zyrtar ka refuzuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.