Lideri verikorean paraqitet në publik, raportojnë mediat koreane

Fotografia ku lideri Kim Jong Un shihet duke marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të një fabrike.

Pas shumë spekulimeve për disa javë rreth shëndetit të liderit verikorean Kim Jong Un, agjencia e lajmeve KCNA raportoi të shtunën se lideri i Koresë Veriore ka marrë pjesë në inaugurimin e një fabrike të plehrave në Pyongyang.

Ky është raportimi i parë për paraqitjen e tij në publik që nga 12 prilli.

Sipas agjencisë KCNA, ceremonia është përcjellur nga shumë pjesëmarrës të cilët kanë brohoritur emrin e tij.

Kim është parë në disa fotografi dukë buzëqeshur gjatë vizitës në fabrikën e re, por vërtetësia e këtyre fotografive nuk është vërtetuar, raporton Reutes.

Kim, 36-vjeçar është parë për herë të fundit në media më 12 prill, duke nxitur dyshime se është i sëmurë seriozisht.

Mirëpo, zyrtarët në Korenë Jugore kanë thënë se këto raportime nuk janë të vërteta.

Në mesin e supozimeve ka qenë edhe ai se “lideri suprem” i Koresë Veriore mund të jetë duke qëndruar në një pushimore në Wonsan për ta mbrojtur veten nga ekspozimi i mundshëm i koronavirusit.

Territori verikorean ka mbyllur kufijtë në fund të muajit janar për shkak të pandemisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se “nuk mund të flasë për këtë çështje”.