Të premten në Kosovë janë shënuar edhe 7 raste të vdekjeve nga koronavirusi i ri. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në njoftimin ditor bëri të ditur se nga 1442 mostra, janë shënuar si të infektuar me koronavirus 385 persona.
Rastet e vdekjeve janë nga komunat: Klinë, Prizren, Deçan, Gjakovë Gjilan dhe Graçanicë.
Raste aktive aktualisht janë 11.307 ndërsa si të shëruar janë regjistruar edhe 351 persona.
Që nga 13 marsi kur janë paraqitur rastet e para me koronavirus në Kosovë janë regjistruar 48.337 raste pozitive, prej të cilëve 1.240 kanë vdekur ndërsa 35.790 janë shëruar.
SHIKONI EDHE:
Remdisiviri ende vetëm nëpër barnatoreNë një konferencë për media, ministri Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se është formuar komisioni për negociim dhe kordinim për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit dhe grupi punues për definimin e nevojave për vaksinën.
“COVAX do të sigurojë 20% të vaksinave për 92 vende duke përfshirë edhe ekonomi tjera të kualifikuara që vaksinën ta kemi në dispozicion në tre muajt e parë të vitit 2021”, tha Zemaj.
Programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, përbën skemën kryesore globale të vaksinimit kundër koronavirusit në shtetet me të ardhura të ulëta apo të mesme në gjithë botën.
Zemaj tha se qytetarët e Kosovës duhet të jenë të sigurtë se do të kenë vaksina kundër koronavirusit.
Javën e ardhshme masa të reja
Zemaj tha se Ministra e Shëndetësisë dhe institucionet tjera janë duke përgatitur masa tjera që do të jenë në fuqi nga java e ardhshme dhe nuk do të vlejnë vetëm për komuna por në nivel vendi. Institucionet e Kosovës disa herë kanë paralajmëruar se do të vendosin masa shtesë gjatë festive të fundvitit.
Ministri Zemaj, bëri të ditur se për javën tjetër është ndryshuar edhe përbërja e komunave që janë të klasifikuara në bazë të rrezikut të përhapjes së pandemisë.
Kështu në zonën e kuqe janë 11 komuna nga 16 sa ishin javën e kaluar: Prishtina, Zveçani, Zubin Potoku, Fushë Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Lipjani, Drenasi dhe Podujeva. Në kategorinë e verdhë janë komunat: Kamenica, Kllokoti, Gjakova, Vitia, Gjilani, Peja, Vushtria, Ferizaj, Shtërpca, Istogu dhe Ranillugu. Kategoria e gjelbër përfshin komunat: Graçanicë, Klinë, Hani i Elezit, Shtimje, Suharekë, Skenderaj, Malisheva, Parteshi, Rahoveci, Prizreni, Deçani, Novobërda, Kaçaniku, Juniku Dragashi dhe Mamusha.