Koreja e Veriut ka lëshuar dy raketa balistike në Detin e Japonisë, kanë thënë zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ia kanë ndaluar Koresë Veriore të testojë raketa balistike.
Japonia dhe Koreja e Jugut e kanë dënuar lëshimin e raketave. Japonia tha se asnjë copëz e raketave nuk kishte rënë brenda ujërave të saj territoriale.
"Kjo kërcënon paqen dhe sigurinë e vendit tonë dhe rajonit”, tha kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga.
SHIKONI EDHE: Koreja V. injoron përpjekjet e SHBA-së për bisedimeKomanda e Paqësorit e SHBA-së, e cila mbikëqyr forcat ushtarake në rajonin e Azi-Paqësorit, tha të enjten se kjo tregon "kërcënimin që programi i armëve të paligjshme të Koresë së Veriut paraqet për fqinjët e saj dhe bashkësinë ndërkombëtare".
Shtëpia e Bardhë apo Departamenti i Shtetit ende nuk i kanë komentuar veprimet e fundit të Koresë Veriore.
Edhe gjatë fundjavës Koreja e Veriut lëshoi raketa me rreze të shkurtër, por presidenti amerikan, Joe Biden dhe zyrtarët në Uashington thanë se ishin akoma të hapur për dialog me Penjanin.
SHIKONI EDHE: Biden nuk e sheh si provokim lëshimin e raketave nga K. VeriorePenjani ka thënë se nuk do të angazhohet në dialog derisa Uashingtoni të heqë ato që thotë se janë politika armiqësore, duke përfshirë stërvitjet ushtarake me Korenë e Jugut.
Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump kishte filluar negociatat që kishin për qëlllim dhënien fund të programeve bërthamore dhe balistike të Koresë së Veriut.
Por, ato nuk prodhuan ndonjë rezultat. Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesat e Koresë së Veriut për lehtësim të sanksioneve në këmbim të një dorëzimi të pjesshëm të programit të tyre bërthamor.