Një kryesues në Malishevë është intervistuar më 2 shkurt dhe është ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për falsifikim të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Prokuroria Themelore në Gjakovë tha se ndalimi i tij është në kuadër të aksionit të ndërmarrë më 28 janar, kur ishin intervistuar 15 kryesues dhe 43 komisionerë. Atë ditë, u dërguan në ndalim 15 kryesues, të cilëve më pas iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji.
Kryeprokurori në Gjakovë, Enis Gashi, ka deklaruar më 28 janar, se cak i hetimeve janë 18 kryesues dhe 50 komisionerë zgjedhorë. Autoritetet kishin paralajmëruar se edhe personat e tjerë që nuk u intervistuan atë ditë, do të intervistohen në ditët në vijim.
"Në Malishevë janë 75 vendvotime, 9.057 vota janë të shtuara, 7.996 të hequra. Pra, gjithsej në total kemi 17.053 vota", tha kryeprokurori Gashi pas aksionit në fund të janarit.
SHIKONI EDHE:
Një muaj paraburgim për 15 kryesuesit në MalishevëAksioni në Malishevë: 15 kryesues të ndaluar nën dyshimet për manipulime të votavePër disa zyrtarë shtetërorë zgjedhjet e dhjetorit janë cilësuar si ndër proceset më të “kompromentuara”, pasi u vërejtën mospërputhje të mëdha të votave të kandidatëve për deputetë pas një rinumërimi të pjesshëm të urdhëruar nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve. Kjo shtyu komisionin që të urdhëronte rinumërim të plotë të votave të rregullta, ndonëse tha se votat për parti nuk janë cenuar.
Rinumërimi ka përfunduar gjatë fundjavës që shkoi dhe KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare.
Për shkak të dyshimeve për manipulim të votave, dhjetëra persona janë ndaluar dhe qindra të tjerë janë intervistuar në shumë rajone të Kosovës. Po më 2 shkurt, autoritetet nisën hetime në Podujevë, pas dyshimeve për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë.
SHIKONI EDHE: Nisin hetime lidhur me dyshimet për manipulim të votave në PodujevëKoordinatorja nacionale për zgjedhje në Kosovë, prokurorja e shtetit, Laura Pula, ka paralajmëruar se edhe kandidatët për deputetë që u ishin shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve, ndonëse deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ndonjë prej tyre është ftuar për intervistë në prokurori.
Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke marrë 51.10 për qind të votave dhe do të ketë 57 deputetë në Kuvendin e ri të Kosovës.
SHIKONI EDHE: Manipulimi i votave: Pse u zbulua tani dhe a ka ndodhur edhe më herët?Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 20.19 për qind të votave, apo 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.24 për qind dhe do të ketë 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë deputetë.
Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë dërguar shtatë ankesa. Duhet pritur që ky panel, dhe më pas edhe Gjykata Supreme – nëse dikush e dërgon vendimin e PZAP-it te ky institucion – të shqyrtojnë ankesat e kandidatëve apo partive në mënyrë që të hapet rruga për certifikimin e rezultateve.
Dhe vetëm pas certifikimit, mundësohet formimi i institucioneve të reja.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje pritet ta formojë pa probleme Qeverinë e re.
Megjithatë, ai e ka pranuar vetë se do të duhet të krijohet një raport i ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje tjera madhore, siç është ajo e pozitës së presidentit apo miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Për të dyja proceset duhet siguruar dy të tretat e votave.