SERBËT NË MITROVICË PROTESTUAN KUNDËR PLANIT TË AHTISAARIT

Rrahman Paçarizi

Përfaqësues të serbëve të Kosovës që kanë folur para disa mijëra protestuesve në pjesën veriore të Mitrovicës, thanë se plani i kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, është krejtësisht i papranueshëm dhe do hedhur poshtë. Marko Jakshiq, anëtar i Ekipit Negociues të Serbisë, tha se në planin e Ahtisaarit nuk ka asgjë të mirë për Serbinë dhe për serbët e Kosovës. “Ata duan të na marrin edhe spitalet, shkollat dhe sistemin financiar, ndërsa shqiptarëve u kanë dhënë gjithçka, edhe Kushtetutën, himnin dhe atribute të tjera shtetërore, e edhe vetë shtetin tonë”, tha Jakshiq, duke iu drejtuar masës së protestuesve, kryesisht nga veriu i Kosovës. Ai tha se pesë komunat që janë dedikuar për serbët, janë në fakt pesë rezervate, dhe i ka ftuar serbët për qetësi dhe unitet, duke theksuar se Kosova kurrë nuk do të bëhet e pavarur, përderisa Serbia të mos pajtohet për një gjë të tillë. “Edhe 75 komuna të na i japin, asgjë nuk na duhen, pasi në një shtet monstrum nuk na duhen asgjë”, tha Jakshiq.
Kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, tha se me planin e Ahtisaarit synohet grabitja e një pjese të territorit të shtetit të njohur ndërkombëtarisht. Ahtisaari ofron që të jemi pakicë kombëtare dhe të mos kemi kurrfarë lidhjesh me Serbinë, por ne e porosisim atë se nuk do ta pranojmë planin e tij, tha Miloviq. “Ne e hedhim poshtë këtë plan të Ahtisaarit, pasi nuk është plan i kompromisit dhe nuk merr parasysh interesat e shtetit të Serbisë”, theksoi Miloviq. Nga kjo protestë i është dërguar apel Beogradit zyrtar, që sa më shpejt ta formojë Qeverinë, Kuvendin e ri dhe Ekipin Negociues, që të mund t’i mbrojnë në mënyrën e duhur interesat kombëtare. Në protestë kanë folur edhe kryetarët e Komunave të Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq. Ky i fundit tha se plani është i papranueshëm dhe paralajmëroi protestë të serbëve të Kosovës para Ambasadës Amerikane në Beograd, më 27 shkurt. Ai tha se po ashtu, do të formohet një delegacion i serbëve të Kosovës, që do të takojë nivele të ndryshme të udhëheqjes në Beograd, për t’i njohur ata me qëndrimin e serbëve të Kosovës lidhur me planin e Ahtisaarit.
Protesta e sotme që është mbajtur në afërsi të lumit Ibër, që aktualisht ndan qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në pjesën veriore me shumicë serbe, ka kaluar pa ndonjë incident.