NJU JORK

Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara sot do t'i dorëzohet propozimi i të dërguarit të posaçëm, Martti Ahtisaari për statusin e Kosovës.
Zëdhënësi i tij, Remi Dourlot tha për Radio "Evropa e Lirë" se propozimi vetëm do t'u dorëzohet anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, por nuk janë planifikuar diskutime mbi këtë çështje.
Propozimi i Ahtisaarit, i cili parasheh "pavarësi të mbikqyrur" për Kosovën, ka nxitur reagime nga Rusia, e cila është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ka thënë se Moska do ta kundërshtojë planin nëse injorohen interesat e Serbisë, por nuk është e qartë nëse Rusia do të përdorë të drejtën e vetos.
Diplomatë të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se Këshilli i Sigurimit do ta diskutojë propozimin në muajin prill.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë shfaqur shpresën se pas shpërndarjes së dokumentit, do ketë një qartësim të pozicioneve të vendeve, të cilat hezitojnë të njohin të drejtën e Kosovës për vetëvendosje.