PRISHTINË

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha tha sonte në Prishtinë se pavarësia e Kosovës është pjesë e pandashme e stabilitetit rajonal.
"Shqipëria mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë për stabilitetin në rajon, ndërkohë që pjesë e pandashme e këtij stabiliteti është pikërisht pavarësia e Kosovës" tha Basha, në fillim të vizitës së tij treditëshe Kosovës, me ç’rast ka takuar shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker.
Ai tha se Shqipëria është në një linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe dinamikës së këtij procesi, në mënyrë që të sigurohet një përmbyllje pa tejzgjatje.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha takon nesër udhëheqësit më të lartë të Kosovës.