STATUSI I PAZGJIDHUR I KOSOVËS PENGON INTEGRIMIN E RAJONIT NË BE

Albana Isufi

Analistë dhe zyrtarë për integrimet evropiane thonë se lidershipi i vendeve të rajonit nuk është i gatshëm që të marrë mbi vete iniciativat për ngritjen e bashkëpunimit rajonal, por një gjë të tillë pret që gjithnjë ta bëjnë zyrtarët e Bashkimit Evropian. Drejtori i Agjencisë për Integrime Evropianë, Shenoll Muharremi, thotë se vendet e rajonit nuk janë në nivelin e duhur të bashkëpunimit, që kërkohet për një integrim sa më të shpejtë. “Shumica e iniciativave rajonale iniciohen nga Brukseli. Ky është një sinjal, që lidershipi në rajon s’është i gatshëm të marrë pronësi në këtë proces”, tha Muharremi. Bashkëpunimin më të madh rajonal, si dhe integrimin e rajonit në BE do ta ndihmonte shumë zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës, thanë folësit në konferencën ‘Bashkëpunimi Rajonal për Zhvillim dhe Integrim Evropian’, të organizuar nga KIPRED. Sipas Muharremit, Prishtina dhe Beogradi, të fokusuar pas çështjes së statusit të Kosovës, po harrojnë të merren me çështjet thelbësore, të duhura për integrim. “Statusi final po merr shumë energji të udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd. Ne besojmë se zgjidhja e statusit do të hapë një dimension të ri dhe do t’i lejojë rajonit që të merret me çështjet që i preokupojnë qytetarët”, është shprehur Muharremi. Në anën tjetër, Jelica Miniq, nga Lëvizja Evropiane e Serbisë, mendon se zgjidhja e statusit duhet bërë në atë mënyrë që të mos hapë probleme të reja. “Ne duhet të zgjidhim disa probleme në një të ardhme të afërt dhe duhet të zgjidhen në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse janë të rralla zgjidhjet që nuk krijojnë probleme të reja. Ka disa autorë që thonë se Ballkani nuk mund të dalë nga fati i konflikteve të përhershme, por jemi me fat që ka të tjerë, që thonë se me procesin e tranzicionit dhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, secili rajon në botë mund të dalë nga konfliktet e përhershme dhe hakmarrjet”, ka thënë Miniq, duke shtuar se nuk mund të ketë integrim të shpejtë evropian, nëse vendet e rajonit nuk e përkrahin njëri-tjetrin. Ndërkohë, edhe vetë përfaqësuesi i Komisionit Evropian në Kosovë, Wolfgang Koeth, mendon se moszgjidhja e statusit të Kosovës është pengesë e madhe për integrim. “Kosovës i duhet një status i qartë dhe ndërkombëtarisht i njohur, në mënyrë që të kuptohen aspiratat e saja evropiane. Dhe, unë insistoj për një status ndërkombëtarisht të njohur, sepse pa të nuk ka shanse të nënshkrimit të marrëveshjes së asociim- stabilizimit. Integrimi evropian ka rëndësi shumë të madhe për Kosovën, mund ta transformojë Kosovën në një shoqëri stabile dhe prosperuese, që gjendet në mes të Ballkanit dhe në mes të Evropës – një shoqëri që jeton në fqinjësi të mirë me vendet përreth dhe e tejkalon trashëgiminë e rëndë të së kaluarës njësoj sikurse ka bërë Gjermania dhe Franca, apo vendet që i kanë tejkaluar dallimet historike, para se të lidhin fatin e tyre me fatin e Evropës”, ka thënë Wolfgang Koeth.