KOHA PO IKËN NË KOSOVË

"The Guardian"

Lidershipi i shqiptarëve të Kosovës, i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara, me vendosmëri është duke shkuar drejt shpalljes së pavarësisë nga Serbia, muajin që vjen, por Beogradi, ndërkohë, ka hapur një front të ri dhe të rrezikshëm për ta parandaluar një gjë të këtillë. Dymbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës që kushtoi me më shumë se 100 mijë jetë dhe miliona të zhvendosur, makthi në Bosnjë është duke u rikthyer në përndjekje të zyrave diplomatike në Evropë. Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, ka thënë se ruajtja e Kosovës dhe Republikës Serbe në Bosnjë janë tani dy synimet parësore të shtetit serb dhe politikës kombëtare. Të shqetësuar nga rikthimi i politikës së Sllobodan Millosheviqit për “Serbinë e Madhe”, diplomatët perëndimorë janë duke u përpjekur që të përmbajnë Beogradin. Por, koha po ikën dhe afati i fundit për gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën nëpërmjet bisedimeve është duke u afruar. Kësaj urgjence i shtohet edhe fakti që më 21 nëntor skadon edhe mandati i forcave paqeruajtëse të Bashkimit Evropian në Bosnjë. Në këtë kuadër, ambasadat e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara i kanë thënë Beogradit se lidhshmëria midis Kosovës dhe Bosnjës është e papranueshme. Shtimi i jostabilitetit në Bosnjë, megjithatë, nuk ka qenë tërësisht i paparashikueshëm. Disa diplomatë kanë thënë se ky vend është lënë anash, në kohën kur vëmendja është përqendruar në Kosovë. Por, me gjithë pasojat eventuale për Bosnjën, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca duket se janë të gatshme ta njohin pavarësinë e Kosovës, në kuadër të një sistemi për sovranitet të mbikëqyrur nga Bashkimi Evropian. Diplomatët parashohin se do ta bëjnë një gjë të këtillë, pavarësisht nga fakti se çka mund të thotë komuniteti serb në Kosovë, Serbia, fqinjët e shqetësuar, si Greqia, pastaj Rusia dhe Kombet e Bashkuara. Duke llogaritur në mbështetjen e Treshes ndërkombëtare, edhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se hapi drejt pavarësisë deri në fund të këtij viti, është i pashmangshëm. Por, komandanti i forcave evropiane në Bosnjë, Hans Jochen Witthauer, në këtë kuadër ka thënë se "zgjidhja e statusit të Kosovës krijon probleme që kanë ndikim në mbarë rajonin". "I gjithë Ballkani perëndimor është ende një rajon i brishtë dhe jostabil, tensionet etnike janë ende të fuqishme dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë vëmendje të posaçme në këtë drejtim", ka thënë zoti Witthauer.