RUSIA DHE SERBIA PARALAJMËROJNË VETO NDAJ MISIONIT TË OSBE-SË NË KOSOVË

Zijadin Gashi

Misioni i OSBE-së në Kosovë shprehet i shqetësuar për faktin se Serbia dhe Rusia kanë paralajmëruar përdorimin e vetos në vazhdimin e këtij misioni, në rast se Kosova do të lëvizë kah pavarësia. Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Tim Guldimann, ka shprehur brengën e tij se Serbia dhe Rusia me veton e tyre mund ta pengojnë vazhdimin e misionit nga viti i ardhshëm. Guldimann po ashtu ka shprehur edhe keqardhjen e tij për kërcënimin rus dhe serb, duke i rikujtuar këto vende se roli i OSBE së është që t'i mbrojë edhe të drejtat e serbëve në Kosovë. Ndërkohë, zëdhënësi i misionit të OSBE-së, Sven Lindholm, tha se ende nuk është asgjë definitive dhe se muajin që vjen priten negociata mes vendeve anëtare, që të mos vijë deri te përdorimi i vetos. “Çdo mision i OSBE-së duhet të marrë miratimin për vazhdimin e misionit çdo vit, e kjo nënkupton në fund të këtij viti”, tha Lindholm. “Vazhdimi i misioneve bëhet me konsensus nga 56 vendet anëtare. Ende nuk është e qartë se çka do të vendoset dhe si do të vendoset, por kjo do të sqarohet muajin që vjen”, tha Lindholm. Ndërkaq, lidhur me atë se si do të veprohej në rast se Rusia dhe Serbia e përdorin veton kundër vazhdimit të misionit të OSBE-së në Kosovë, zëdhënësi Lindholm tha se nuk mund të spekulonte se cilat do të ishin efektet në një situatë të tillë. “Nuk mund të spekuloj se çfarë do të ndodhë, por e dimë se do të nevojitet një vendim konsensusi nga 56 vendet anëtare për vazhdimin e mandatit”, tha Lindholm. Gjatë administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara që nga viti 1999 e këndej, misioni i OSBE-së ka qenë pjesë apo shtyllë e UNMIK-ut në fushën e demokracisë dhe kryesisht ka ndihmuar në ngritjen e institucioneve demokratike përmes organizimit të zgjedhjeve, në fushën e sigurisë, ku kishte një rol parësor në krijimin e policisë vendore, si dhe një rol të veçantë në fushën e të drejtave të njeriut. Zyrtari i OSBE-së tha se, megjithatë, pret që në fund të vitit misioni nuk do të hasë në pengesa dhe do të mund ta vazhdojë punën e vet si edhe deri më tash.