NJU JORK

Kosova ende po lëvizë shumë ngadalë drejt arritjes së standardeve ndërkombëtare që synojnë të sigurojnë se ajo po bëhet një shoqëri multietnike që funksionon lehtë, është shprehur, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan. Në raportin e tij të progresit në Kosovë, dërguar Këshillit të Sigurimit, pos tjerash thuhet se bisedat për status, që filluan në nëntorin e vitit të kaluar, kanë dështuar që ti nxisin autoritetet e Kosovës drejt një progresi më të madh në standarde. "Jam serioizisht i shqetësuar se ka pasur shtyrje ose pengesa në pjesën më të madhe të implementimit të standardeve" , thotë zoti Annan në këtë raport dhe shtoi se "implementimi i standardeve nga liderët politikë dhe institucionet e Kosovës është obligim ndaj popullit të Kosovës dhe duhet të vazhdoj fuqishëm". Në këtë raport kritikohet minoriteti serb i Kosovës për dështim që në mënyrë aktive të përfshihet në qeverisjen lokale dhe fton Beogradin që ti inkurajoj serbët lokalë që ta bëjnë këtë.