50 VJET MË PAS KUJTOHET FJALIMI ANTI- STALINIST I HRUSHOVIT

Claire Bigg, Radio Evropa e Lirë Gjysmë shekulli më parë, udhëheqësi komunist sovjetik Nikita Hrushov dënoi krimet e regjimit të Stalinit dhe deklaroi se do të shkatërronte kultin e tij. Ky fjalim ngjalli pakënaqësinë e partive komuniste të kohës në Evropën Perëndimore, derisa rriti shpresat në mesin e vendeve komuniste për ndryshime demokratike. Por megjithë anën pozitive të fjalimit, Hrushovi shpejt dëshmoi se ishte një udhëheqës komunist, veçanërisht kur tanket sovjetike përgjakën Hungarinë.
Hapi i parë drejt asaj që në histori njihet se periudhë e destalinizimit në Bashkimin Sovjetik u bë 50 vjet më parë në atë që njihet si kongresi i XX-të i Partisë Komuniste sovjetike.
Në fjalimin e shkurtit të vitit 1956 udhëheqësi sovjetik i kohës Hrushovi fajësoi Stalinin për krijimin e një regjimi që bazohej në "dyshimin, frikën dhe terrorin". Hrushovi premtoi thyerjen e mitit të Stalinit, i cili kishte vdekur tre vjet më parë.
Ai dënoi shtypjen në shkallë të gjerë të Stalinit veçanërisht mes viteve 1936 – 38, derisa e akuzoi si nacionaliste dhe anti-semite politikën staliniste të ndjekur gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Hrushovi ishte i pari zyrtar që denoncoi publikisht politikat e Stalinit dhe fjalimi i tij i asaj kohe la pa fjalë pjesëmarrësit në kongres.
Denoncimi i Hrushovit ndaj politikave staliniste në histori u fut me emrin "fjalimi sekret", përderisa u mbajt me dyer të mbyllura dhe nuk u bë publik deri vonë në vitin 1956.
Roi Medvedev, historian i njohur, i cili atë botë ishte drejtor shkolle në një qytet provincial të Rusisë, e kujton momentin kur për herë të parë e mësoi përmbajtjen e fjalimit.
"Ata mblodhën aktivistë, anëtarë partie, komsomolas, drejtor kolkozësh, derisa instruktori nga Komiteti i Partisë Komuniste erdhi me një libër të kuq dhe iu drejtua pjesëmarrësve se do t'u lexonte "fjalimin sekret" të Nikita Hrushovit e për katër orë e dëgjuam fjalimin. Në sallë kishte luftëtarë të Luftës së Dytë Botërore, që i kishin ndjekur nga pas politikat staliniste, ashtu siç kishte dhe të tjerë si puna ime, që i njihnin kampet dhe torturat, pasi im atë kishte vdekur në burg", kujton historiani Medvedev.
Pas atij fjalimi mijëra njerëz u liruan nga burgjet. por fjalimi i Hrushovit pati ndikime në gjithë bllokun komunist të Evropës lindore, pasi nxiti shpresat për ndryshime politike. Kjo ishte veçanërisht e dukshme në Poloni dhe Hungari.
Por ndjesia e sekretit dhe fshehtësisë e ndoqën këtë fjalim për shumë kohë. Fjalimi u botua në Rusi në vitin 1988, 32 vjet pas mbajtjes së tij.
Historiani Medvedev thotë se atij personalisht iu desh një kohë e gjatë për të kuptuar ndikimin e plotë të atij fjalimi.
"Shtypi nuk raportonte për asgjë. Nuk ka pasur televizone në atë kohë. U krijua një proces i tërë ku ne duhet të hiqeshim sikur nuk dinim asgjë. Dy ditë pas kongresit, partitë komuniste perëndimore e kundërshtuan fjalimin. Ata pyesnin përse duhej e gjithë kjo? Një letërkëmbim i dendur filloi me Partinë Komuniste kineze, e cila e dënoi kongresin e 20. Ka qenë ngjarje e një rëndësie historike kolosale", vlerëson historiani Medvedev.
Sot rusët janë të ndarë lidhur me rëndësinë e "fjalimit sekret".
Gorbaçov ka vlerësuar se Hrushovi hodhi bazat e perestrojkës, duke krijuar mundësi për reforma demokratike në vend.
Megjithatë ndonëse vlerësohej si reformator liberal, Hrushovi shpejt tregoi se nuk qe i tillë me gjithë fjalimin kundër Stalinit. Vetëm 9 muaj pas këtij fjalimi, në nëtor të vitit 1956, tanket sovjetike përgjakën Hungarinë duke vrarë mijëra protestues.