MOORE:"NDARJA E KOSOVËS - REÇETË PËR RINDEZJE TË KONFLIKTEVE"

Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit disa herë ka pohuar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Megjithatë, disa analistë thonë se opsioni i ndarjes duhet të mbetet në tavolinë. Nga ana tjetër disa zyrtarë kosovarë, siç është kryetari i Parlamentit, kanë thënë se nëse kufijtë e Kosovës do të preken, kjo do të hapë çështjen e kufijve dhe në hapësira të tjera. Si e shihni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Nuk di përse dikush që e njeh rajonin mund të bëjë një deklarata kaq të papërgjegjshme. Një nga rrethanat, që do të ishte reçetë për ri-nxitje të konfliktit në Kosovë, do ishte ndarja. Mendoj që kushdo që di diçka për rajonin duhet ta kuptojë këtë. Komuniteti ndërkombëtar, në tërësi, me siguri e di këtë mirë dhe është i ndërgjegjshëm që çfarëdo lloj decentralizimi që mund të zbatohet, nuk duhet të krijojë apo formojë ndonjë mundësi për ndarje. Natyrisht nëse do të ndodhte ndonjë ndarje, edhe pse unë nuk shoh rrethana reale që mund të ndodhë kjo, ajo do të ri-hapte çështjen e Preshevës dhe sigurisht do dëgjoheshin edhe zërat e zotërinjëve nga Banja Lluka.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga Brukseli vijnë vlerësime sipas të cilave serbët e Kosovës, të influencuar nga Beogradi, gjithnjë e më shumë po largohen nga procesi i bisedimeve dhe se nuk dëshirojnë të hyjnë në institucionet e Kosovës. A është ky një sinjalizim se në fakt Beogradi po luan me kartën e copëtimit të Kosovës?

PATRICK MOORE
Le të kujtojmë se zoti Jessen Petersen të henën e kaluar tha se komuniteti ndërkombëtar po bën çdo gjë të mundshme që të inkurajojë serbët që të kthehen në shtëpitë e veta, por autoritetet e Beogradit po u bëjnë atyre obstruksione. Beogradi po përpiqet të luajë në kartën e Kosovës, sepse ndërkombëtarët, në një mënyrë jo të mençur, e lejuan Beogradin, që të ketë një rol në proces. Është dashur që para disa vitesh ata t'i thonin Beogradit, pasi përfundoi konflikti në vitin 1999, se e keni humbur luftën dhe duhet të prisni edhe humbjen e territoreve dhe për ju nuk ka vend në tavolinë, ndërsa interesat serbe brenda Kosovës do të përfaqësohen nga anëtarët e komunitetit serb të Kosovës dhe jo nga Beogradi. Tash Beogradi po përpiqet që të ketë një rol, por jam i sigurt se ajo që përpiqen të bëjnë është manipulimi dhe në fund braktisje e serbëve të Kosovës, ashtu siç bëri Millosheviçi me këta njerëz dhe ashtu siç bëri Millosheviçi me serbët në Kroaci dhe në Bosnje Hercegovinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni zhvillimet e mëtejme në Kosovë? Në cilin drejtim do të shkojnë ato?

PATRICK MOORE
Më duhet të kthehem në pyetjen tuaj të parë, pra nëse ka ndonjë bisedë për ndarje. Nuk duhet harruar se nëse flitet për ndarjen duhet folur gjithashtu edhe për çështjen e Preshevës dhe gjithashtu duhet të kihet parasysh se do të kishte një mundësi reale të një konflikti të ri nëse ndarja do të realizohej. Pika e dytë që dëshrioj ta theksoj është ajo se është shumë e rëndësishme që shumica shqiptare e Kosovës të pranojë përgjegjësinë e vet përballë pakicës serbe, pjesëtarët e së cilës duan të jetojnë në shtëpitë e tyre dhe në paqe me fqinjët në Kosovë. Gjithashtu është e rëndësishme që serbët e Kosovës të pranojnë që nuk janë më pjesë e Republikës së Serbisë, por që jetojnë në shtetin e Kosovës në të cilin janë pakicë. Dhe nëse shteti do të jetë i ndërtuar, ashtu si shpresojmë dhe presim që të ndodhë, në bazë të pushtetit të ligjit, pakica serbe do të mund të jetojë e sigurtë dhe e kënaqur në Kosovë ashtu siç po mësohen të bëjnë anëtarët e komunitetit serb në Kroaci.

Intervistoi: Melazim KOCI