Katër aktivistë propalestinezë akuzohen për hyrje në një bazë ushtarake britanike

Fotografi ilustruese.

Katër aktivistë pro-palestinezë janë akuzuar pasi hynë në mënyrë të paligjshme në një bazë ajrore ushtarake në qendër të Anglisë muajin e kaluar dhe dëmtuan dy aeroplanë, në shenjë proteste kundër mbështetjes që Britania i jep Izraelit.

Policia kundër terrorizmit tha se akuzat ndaj tyre janë për komplot për të hyrë me vetëdije në një vend të ndaluar me qëllim që cenon sigurinë apo interesat e Mbretërisë së Bashkuar, dhe komplot për të kryer dëme materiale.

Katër të arrestuarit, të moshës ndërmjet 22 dhe 35 vjeç, ndodhen ende në paraburgim dhe pritet të dalin para një gjykate në Londër të enjten. Policia tha se do të paraqesë prova që lidhin këto vepra me terrorizmin.

Grupi i fushatës Palestine Action ka marrë përgjegjësinë për incidentin e ndodhur më 20 qershor, kur u thye baza ajrore në Oxfordshire, në qendër të Anglisë, dhe mbi dy aeroplanë që përdoren për furnizim me karburant dhe transport u spërkat bojë e kuqe.

Të mërkurën, ligjvënësit britanikë votuan për të ndaluar Palestine Action si një organizatë terroriste. Grupi e dënoi vendimin duke e quajtur një "shpërdorim të pushtetit" dhe njoftoi se do ta sfidojë vendimin në gjykatë.

Në deklaratën e policisë thuhet se personat e akuzuar kanë shkaktuar dëme me vlerë prej rreth dhjetë milionë dollarë në dy avionët në bazën Brize Norton të Forcave Ajrore Mbretërore, raporton Reuters.

Palestine Action ka sulmuar në mënyrë të përsëritur kompani në Britani që kanë lidhje me Izraelin, përfshirë edhe firmën izraelite të mbrojtjes Elbit Systems.