Pas Trumpit dhe Putinit, edhe Vuçiqi po mbërrin në Pekin.
Vizita pesëditore e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vjen pas një dekade të forcimit të raporteve me Kinën.
Pikërisht me Kinën, Serbia po ndërton “miqësi të çeliktë”, siç e quajnë bashkëpunimin mes tyre zyrtarët e të dy vendeve.
Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia vitet e fundit po drejtohet gjithnjë e më shumë nga Kina.
Vuçiqi do të qëndrojë në Kinë për një vizitë pesëditore, nga 24 deri më 28 maj, me ftesë të udhëheqësit kinez, Xi Jinping.
Ish-zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Thomas Countryman, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë se për Vuçiqin kjo vizitë ka më shumë rëndësi sesa rëndësi simbolike.
“Mbështetja e vazhdueshme e Pekinit është e rëndësishme për të, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, teksa kjo Kinës nuk i kushton shumë”, tha Countryman.
SHIKONI EDHE:
Hijet e ’90-ave, Vuçiqi dhe mosangazhimi i PerëndimitBashkëpunimi është zgjeruar nga fusha ekonomike dhe infrastrukturore edhe në atë ushtarake, kështu që Serbia, si i vetmi vend evropian, vitet e fundit po furnizohet me armatim nga Kina.
Vitin e kaluar, pjesëtarët e njësive speciale të ushtrive kineze dhe serbe zhvilluan në Kinë stërvitjen e tyre të parë të përbashkët ushtarake.
Serbia është gjithashtu pjesë e nismës ndërkombëtare “Brezi dhe Rruga”, të cilën Kina e lansoi në vitin 2013 me synimin për zhvillimin e rrugëve të reja tregtare dhe tregjeve për eksportet kineze.
Qëllimi i politikës së jashtme të Serbisë është anëtarësimi në BE, por njëkohësisht politika e saj e jashtme bazohet në balancimin mes Perëndimit dhe Lindjes.
Countryman vlerësoi se Vuçiqi ka qenë relativisht i suksesshëm në përpjekjet për të pasur balancë mes Uashingtonit, Brukselit, Moskës dhe Pekinit, të paktën duke mos “antagonizuar tepër asnjërën nga këto palë”.
“Megjithatë, kjo ka ndodhur me çmimin e dobësimit të aspiratave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, veçanërisht për shkak të marrëdhënieve të afërta dhe jotransparente me Rusinë”, tha ai.
Serbia po stagnon në integrimet evropiane, ndër të tjera edhe për shkak të mospështatjes së politikës së saj të jashtme me atë të BE-së.
Me një histori të ruajtjes së raporteve të mira me Rusinë, Beogradi vazhdon të refuzojë t’u bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Çfarë sjell udhëtimi në Pekin?
Stefan Vlladisavllev, drejtor programor i Fondacionit joqeveritar BFPE për Shoqëri të Përgjegjshme, tha për Radion Evropa e Lirë se Vuçiqi ka udhëtuar drejt Pekinit kryesisht në formate shumëpalëshe.
“Kjo do të jetë një mundësi që, në një nivel të lartë, jo vetëm të harmonizohet politika e ardhshme e ndërsjellë, por edhe të konkretizohen forma të caktuara bashkëpunimi”, vlerësoi ai.
Në prag të vizitës, Vuçiqi deklaroi se palët janë rënë dakord për investime në vlerë prej 1 miliard eurosh.
Më 21 maj, ai tha për transmetuesin publik serb, RTS, se do të nënshkruhen të paktën 33 marrëveshje, si dhe dakordime dhe kontrata që “nuk do të jenë më pak se 30”.
Ai shtoi gjithashtu se me Xinë do të nënshkruajë dy deklarata të mëdha të përbashkëta, por nuk dha detaje për këto dokumente.
Vuçiqi paralajmëroi po ashtu se do të diskutohet për prodhimin e çipave dhe robotëve humanoidë në Serbi.
Vlladisavllev theksoi se rëndësia e vizitës do të varet nga marrëveshjet që do të nënshkruhen.
“Duhet të shohim nëse ato do të lidhen me projekte konkrete, nëse do të jenë në nivel memorandumesh bashkëpunimi apo kontratash konkrete që obligojnë zbatimin e projekteve”, tha ai.
I pyetur se çfarë mund të pritet nga vizita e presidentit serb në Kinë, ish-zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Thomas Countryman, u përgjigj: “shumë pak”.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, Vuçiqi do të zhvillojë takime të ndara me presidentin Xi Jinping dhe kryeministrin Li Qiang.
Ai tha më 20 maj për gazetarët se Serbia është vendi i parë evropian që së bashku me Kinën ka ndërtuar një “komunitet të së ardhmes së përbashkët në epokën e re” dhe se është një partnere e rëndësishëm e Kinës në Evropën Juglindore.
Zëdhënësi i MPJ-së kineze deklaroi se Kina e sheh vizitën e presidentit Vuçiq si një mundësi për të ndërtuar një “miqësi të fortë të çeliktë”, për të zgjeruar bashkëpunimin që është i dobishëm për të dyja palët, për të pasuruar shkëmbimet kulturore dhe koordinimin multilateral.
Kina dhe Serbia vendosën partneritetin strategjik në gusht të vitit 2009.
Gjatë vizitës së parë të presidentit kinez në Beograd në qershor 2016, u nënshkrua Deklarata e Përbashkët për vendosjen e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik.
Gjatë vizitës së dytë të Xi Jinpingut në Beograd në maj 2024, u nënshkrua Deklarata e Përbashkët për ndërtimin e “komunitetit Serbi–Kinë me të ardhme të përbashkët në epokën e re”.
Simbolika Trump-Putin-Vuçiq?
Kjo nuk është vizita e parë e Vuçiqit në Pekin, por ai e përshkruan atë si kurorëzimin e karrierës së tij politike.
Kjo edhe për faktin se, siç tha ai, po udhëton te Xi pas presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
SHIKONI EDHE:
Trump e përfundon vizitën në Pekin, me krizën në Iran që mbizotëroi samitin SHBA-KinëPutini siguron unitet, por jo edhe marrëveshje për gazsjellësin gjatë samitit në PekinVuçiq do të mbërrijë në Kinë një javë pas vizitës së Trumpit dhe vetëm disa ditë pas vizitës së Putinit.
Megjithatë, Stefan Vlladisavllev vlerësoi se bëhet fjalë për një rastësi të thjeshtë dhe theksoi se temat e bisedimeve me Vuçiqin do të jenë të ndryshme nga ato që kinezët u zhvilluan me Trumpin dhe Putinin.
“Trump kishte idenë të zbusë tensionet në marrëdhëniet bilaterale, ndërsa me Putinin bëhej fjalë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe fokusi ishte energjia”.
Në rastin e Serbisë, sipas tij, do të bëhet fjalë për marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi mes dy shteteve.
“Si rrjedhojë, ndikimi që ato do të kenë në dimensionin gjeopolitik do të mbetet i kufizuar”, vlerësoi Vlladisavllev.
Serbia dhe Kina kanë nënshkruar në vitin 2023 edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, të cilën zyrtarët serbë e kanë përshkruar si ngjarje me “rëndësi historike” për Serbinë.
Nga ndërtimi i rrugëve dhe hekurudhave deri te blerja e armëve
Në Serbi po shkojnë miliarda dollarë investime kineze, ndërsa me kredi kineze po ndërtohen projekte infrastrukturore.
Në zhvillim është edhe ndërtimi i hekurudhës së shpejtë Beograd–Budapest, e cila është pjesë e projektit strategjik kinez “Brezi dhe Rruga”.
Pikërisht ky projekt është nën hetim nga Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi nën dyshime për korrupsion.
SHIKONI EDHE:
Autostrada, borxhe dhe vonesa: Gjurmët e Shandong-ut kinez në BallkanHetimi është hapur pas rrëzimit të strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024 që la të vrarë 16 persona, ngjarje që shkaktoi protesta masive në Serbi.
Nuk dihet nëse po hetohet përgjegjësia e investitorëve kinezë, ndërsa dy ish-ministra të Qeverisë së Serbisë janë të dyshuar.
Të gjitha projektet infrastrukturore të Serbisë me Kinën janë kontraktuar pa tender, me marrëveshje direkte mes qeverive.
Nga Brukseli është paralajmëruar disa herë për mungesën e transparencës në këto marrëveshje.
Njëkohësisht, po rritet edhe borxhi i Serbisë ndaj Kinës.
SHIKONI EDHE:
Serbia forcon arsenalin me raketa kineze me rreze të gjatëKeqllogaritja që mund ta destabilizojë BallkaninPjesa më e madhe e kredive merret për projekte infrastrukturore, rrugë, ura dhe hekurudha, kryesisht nga banka kineze EXIM (Banka për Eksport-Import e Kinës).
Kjo bankë, sipas të dhënave të Administratës së Borxhit Publik të Ministrisë së Financave të Serbisë, është ndër kreditorët më të mëdhenj të Serbisë.
Autoritetet në Beograd marrjen e kredive nga Kina, në vend të financimit nga institucionet e BE-së, drejt së cilës Serbia synon anëtarësimin, e kanë justifikuar edhe me faktin se kreditë kineze janë “të shpejta”, për shkak të procedurave më të lehta.
SHIKONI EDHE:
Nga minierat te fabrikat diellore: Projektet kineze përballen me pengesa të rralla ligjore në BallkanFinancimi nga fondet e BE-së do të kërkonte respektimin e procedurave evropiane, të cilat përfshijnë transparencë dhe shpallje të tenderëve.
Sipas të dhënave të Entit Republikan të Statistikës të Serbisë, shkëmbimi tregtar me Kinën në vitin 2025 ka arritur në 8.29 miliardë euro.
Nga kjo, eksporti nga Serbia ka qenë 1.87 miliard euro, ndërsa importi 6.42 miliardë euro.
Kompanitë kineze kanë marrë përsipër ish-gjigantë shtetërorë me humbje – Kombinatin Minieraro-Metalurgjik të Borit dhe Fabrikën e Çelikut Smederevo, ku punësohen mijëra njerëz.
Gjiganti kinez minerar Zijin Mining është në krye të listës së eksportuesve më të mëdhenj nga Serbia, ndërsa grupi kinez HBIS ka marrë në dorë pothuajse fabrikën e mbyllur të çelikut në vitin 2016.
Ndërsa aktivistët lokalë të mjedisit paralajmërojnë për ndotjen e burimeve jetësore – ajrit, ujit dhe tokës – kompanitë kineze i kanë hedhur poshtë këto akuza.
Kompania HBIS u gjobit në vitin 2024 për ndotje të ajrit.
Ndër investimet më të fundit të mëdha kineze është fabrika e gomave për automjete Linglong, e cila gjithashtu është shoqëruar me akuza për ndotje dhe punë të detyruar.
SHIKONI EDHE:
Dëshmi të reja për abuzim të punëtorëve në fabrikën kineze në SerbiPër shkak të akuzave për përdorim të punës me detyrim, Dogana dhe Mbrojtja e Kufijve e SHBA-së (CBP) lëshoi në dhjetor 2025 një urdhër për ndalimin e importit të gomave të prodhuara në Linglong në Serbi.
Sytë e Beogradit nga Pekini
“Serbia me admirim e sheh modelin zhvillimor kinez”, shkroi Vuçiq në Instagram më 20 maj pas takimit me ambasadorin kinez Li Ming.
“Për Serbinë është me rëndësi të veçantë ndërtimi i partneriteteve të forta me shtete mike që respektojnë pavarësinë tonë dhe të drejtën për rrugën tonë”, tha ai.
Beogradi dhe Pekini pajtohen për çështjet kyç politike për të dy vendet.
Vlladisavllev nga Fondacioni BFPE kujton se të dy palët shpesh në deklarata theksojnë nevojën për respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit.
“Serbia e bën këtë për shkak të Kosovës, të cilën Kina nuk e njeh si shtet të pavarur dhe për Kinën kjo çështje është Tajvani”.
Autoritetet në Beograd mbështesin qëndrimin kinez se Tajvani është territor i Kinës, ndërsa Tajvani e konsideron veten shtet sovran.
Vuçiq, gjatë vizitës në Kinë në tetor 2023, tha se është krenar që Serbia nuk i është bashkuar asnjë deklarate kundër këtij vendi.
Marrëdhëniet me Kinën janë forcuar që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në Serbi para 12 vjetësh.
Në përpjekje për t’u afruar me Kinën, Vuçiq ka folur edhe në gjuhën kineze, kur në dhjetor 2019, përmes një video-mesazhi, njoftoi në gjuhën kineze se do ta vizitonte vendin në prill të vitit pasardhës.
Presidenti i Serbisë ka qenë për herë të fundit në Kinë në shtator 2025, kur mori pjesë në paradën ushtarake me rastin e Ditës së Fitores.