Një ukrainas arrestohet në Shqipëri për trafik droge

Fotografi ilustruese.

Një shtetas ukrainas, i shpallur në kërkim nga Kievi për trafik droge si pjesë e një organizate kriminale, është arrestuar në aeroportin e Rinasit në Shqipëri, thanë autoritetet shqiptare.

Sipas policës, ukrainasi i identifikuar me inicialet A.S., 53 vjeç, u arrestua paraditen e 26 shtatorit.

Radio Evropa e Lirë mëson se bëhet fjalë për ukrainasin, Anatolii Streletskyi.

Arrestimi i tij u bë sapo ai arriti në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Autoritetet shqiptare thanë se ai u arrestua pas informacionit të përcjellë nga Njësia e Hetimeve Ndërkombëtare Federale pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

“Shtetasi ukrainas ishte shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese të Kievit, për trafik të lëndëve narkotike, si pjesë e një organizate kriminale”, tha Policia shqiptare, pa dhënë detaje të tjera për këtë rast.

Sipas autoriteteve, Interpol Tirana ka nisur procedurat e ekstradimit për në Ukrainë të të arrestuarit.