Një avion ushtarak i SHBA-së rrëzohet në oqean në perëndim të Japonisë

Një avion i ushtrisë amerikane i llojit Bell Boeing V-22 Osprey. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Një avion ushtarak i Shteteve të Bashkuara, me tetë persona në bord, u rrëzua në oqean afër ishullit japonez të Jakushimës, thanë rojet bregdetare të Japonisë më 29 nëntor. Autoritetet kanë gjetur në ujë trupin e pajetë të një anëtari të ekuipazhit.

Në bordin e avionit, të llojit Osprey që u rrëzua në perëndim të Japonisë, ishin edhe pesë persona të tjerë.

Ende nuk dihet për fatin e pjesëtarëve të tjerë të ekuipazhit të avionit.

Avioni u rrëzua rreth orës 02:47, sipas kohës lokale. Banorët lokalë kanë raportuar se motori i majtë i avionit ishte përfshirë nga zjarri teksa u rrëzua në oqean.

Rojet bregdetare gjetën trupin e një personi në ujë dhe po ashtu panë mbetje të avionit, thanë autoritetet japoneze.

Copëzat e avionit u gjetën rreth 1 kilometër në brigjet lindore të Jakushimës.

Zëdhënësi i rojeve bregdetare të Japonisë, Kazuo Ogawa, tha se avioni ishte niur nga një bazë ajrore amerikane në Ivakuni dhe u rrëzua teksa po udhëtonte drejt bazës ajrore Kadena në Okinava.

Sipas zëvendësministrit të Mbrojtjes, Hiroyuki Miyazawa, avioni ka tentuar të bëjë një ulje emergjente në ujë.

Zyrtarët thanë se avioni i rrëzuar i përkiste bazës ajrore, Jokota, në perëndim të Tokjos. Forcat Ajrore amerikane thanë se ende po konformojnë informacionet dhe nuk u deklaruan më shumë për incidentin.

Rrëzimi i avionit amerikan vjen pasi një avion i po të njëjtit lloj ishte rrëzuar në veri të Australisë në gusht, duke vrarë tre anëtarë të ekuipazhit nga 23 sa ishin në bord.

SHIKONI EDHE: Tre marinsa amerikanë vdesin pas rrëzimit të avionit në Australi

Avioni Boeing MC-22B Osprey ishte rrëzuar në ishullin Melville, në Australi, gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Po ashtu një avion Osprey ishte rrëzuar edhe në Japoni, në Okinava në dhjetor të vitit 2016.