Prokuroria Speciale interviston Shkëlzen Gashin lidhur me ekspozitën për masakrat në Kosovë

Shkëlzen Gashi. Fotografi nga arkivi.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka intervistuar Shkëlzen Gashin, nën dyshimet për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Prokuroria tha se intervistomi i Gashit dhe bastisja e shtëpisë së tij u bë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” që u shfaq në sheshin e Prishtinës, por më vonë u largua nga autoritetet lokale.

“Në vendbanimin e të dyshuarit, është realizuar një urdhër kontrolli nga hetuesit e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim sigurimin e provave relevante për hetimin”, u tha në njoftim.

Më herët gjatë ditës, aktivisti Rron Gjinovci publikoi në llogarinë e tij në Facebook fotografi nga bastisja dhe autorizimin për Policinë e Kosovës për të mbledhur prova për ekspozitën që nxiti debat publik, pasi u tha se përmban pasaktësi lidhur me masakrat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë më 1998-99.

Ekspozita u largua nga Komuna e Prishtinës ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, që kishte financuar një pjesë të ekspozitës të organizatave joqeveritare INTEGRA dhe ADMOVERE, tha se organi ligjvënës mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, por kjo mbështetje jepet “pa ndërhyrë në përmbajtje të projekteve të tilla”.

“Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, u tha në reagimin e Kuvendit më 27 mars.

Ekspozita u prezantua në javën e shënimit të 27-vjetorit të nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Bombardimet nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Ato nisën pas përpjekjeve të dështuara të komunitetit ndërkombëtar për ta bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviq për një armëpushim.

Bombardimet u ndalën një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.

Edhe pasi ka kaluar gjithë kjo kohë, Kosova vazhdon të mos e ketë një regjistër publik shtetëror të të gjitha llojeve të krimeve dhe dëmeve që ka lënë mbrapa lufta.

SHIKONI EDHE: Gjithë diskutimet për ekspozitën për masakrat në Kosovë në kohën e luftës

Çfarë kanë thënë organizatorët e ekspozitës?

Pas reagimeve të shumta, Gashi, në emër të organizatave ADMOVERE dhe INTEGRA se ekspozita është realizuar bazuar në librin e tij “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të botuar në vitin 2024, ndërsa për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, organizatat janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC) organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq, aktiviste serbe për të drejtat e njeriut.

“Për fat të keq, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova nuk e ka një listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë 1998-1999… Theksojmë se verifikimi i njëpërnjëshëm i statusit të secilës viktimë dhe i numrit të saktë të civilëve të vrarë nuk ka qenë dhe nuk është përgjegjësi e organizatave tona”, është thënë në postimin e Gashit në Facebook.

Vetë ai ka thënë se përveç mospërputhjeve për Dubravë, njëjtë ka ndodhur edhe me të dhënat për masakrat në Reçak, Kotlinë, Kaçanik, Mejë, e të tjera.

"Sipas kësaj liste në Burgun e Dubravës janë vra gjithsej 106 veta. Prej tyre, 58 figurojnë civilë e 48 figurojnë persona të armatosur. Si është e mundur që në Burg të Dubravës 48 prej civilëve të vrarë të figurojnë si pjesëtarë të armatosur? Pse janë regjistruar këta si persona të armatosur? Persona të armatosur në burg? Për më keq, kjo mospërputhje nuk është e vetmja. Njëjtë ka ndodhur edhe në Masakrën e Mejës, ku numri i të vrarëve është 376 veta, por në listën e HLC-së figurojnë 349 civilë të vrarë, kurse 27 të vrarë figurojnë si të armatosur", ka shkruar ndër të tjera Gashi.

Megjithatë, Fondi për të Drejtën Humanitare ka reaguar duke thënë se dhënat e paraqitura të ekspozitë në disa raste japin pasqyrë të pasaktë që krimeve dhe kjo nuk ka të bëjë me çështje interpretimi, por "me mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave".

“Në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë ‘persona të armatosur’, siç paraqitet në tabelën e ekspozitës. Të vrarët ishin të burgosur shqiptarë. Disa prej tyre kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së para arrestimit, por në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë. Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës. Statusi i tyre i mëparshëm si pjesëtarë të UÇK-së është i rëndësishëm për njohjen shtetërore pas vdekjes dhe për reparacionet materiale për familjet, por jo për përcaktimin e rrethanave të vdekjes”, ka thënë Fondi, duke përmendur se gabime të ngjashme janë bërë edhe për masakrat tjera.

Ky fond e ka cilësuar “shqetësuese” që, “Shkëlzen Gashi përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë për këto gabime te Fondi për të Drejtën Humanitare. Kjo përbën një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë”.

Por, organizatorët u kundërpërgjigjën duke thënë se nuk kanë tentuar t’ia hedhin fajin Fondit për të Drejtën Humanitare, për shifrat e përmendura dhe që fajin e vërtetë në gjithë këto diskutime e ka shteti i Kosovës, që ende “nuk ka listë të saktë të të vrarëve”.

Organizatorët u kanë kërkuar falje familjarëve të viktimave.

Lufta e viteve 1998-’99 në Kosovë, i ka lënë rreth 13.000 njerëz të vrarë, ndërsa mbi 1.600 të tjerë ende konsiderohen të zhdukur.

Zyrtarë të Kosovës kanë deklaruar në të kaluarën se vlera e dëmeve ekonomike që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës shkon në 22 miliardë euro.

Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000, deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, EULEX-i i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendëse.