BE-ja diskuton për Grenlandën dhe raportet tregtare me SHBA-në

Flamuj të Bashkimit Evropian të vendosur para selisë së Komsionit Evropian. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) mblidhen mbrëmjen e 22 janarit në Bruksel për një samit urgjent, i thirrur pas kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave ndaj disa shteteve të kontinentit evropian.

Mbajtja e samitit u konfirmua edhe pasi presidenti amerikan më 21 janar hoqi dorë nga vendosja e tarifave, pasi në Davos të Zvicrës u arrit një pajtim për kornizën e marrëveshjes për Grenlandën gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

SHIKONI EDHE: Trump: S’do të ketë tarifa, kemi pajtueshmëri për kornizën e marrëveshjes për Grenlandën

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Federiksen, para samitit tha për gazetarët se sovraniteti i shtetit të saj dhe Grenlandës janë “vija të kuqe”.

“E kemi bërë të qartë që në fillim se nuk është për diskutim sovraniteti ynë shtetëror dhe kjo nuk do të ndryshojë. Ne veçse kemi bashkëpunuar me SHBA-në, siç kemi bërë gjithmonë kur vjen puna për sigurinë. Megjithatë, vijat tona të kuqe janë të qarta. Rregullat tona demokratike nuk janë për negocim”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, kancelari gjerman, Olaf Scholz, shprehu lehtësim me njoftimin e Trumpit për mosvendosjen e tarifave ndaj disa shteteve evropiane për shkak të Grenlandës.

“I jam mirënjohës presidentit Trump që është përmbajtur nga planet e tij fillestare për të marrë Grenlandë. Po ashtu jam mirënjohës që është përmbajtur nga vendosja e tarifave shtesë nga 1 shkurti”, tha ai për gazetarët.

Udhëheqësi gjerman tha se Bashkimi Evropian duhet të forcohet.

“BE-ja, pjesa evropiane e NATO-s, duhet të jetë në gjendje ta mbrojë veten”, u shpreh ai.

Sikurse Merz, edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, e mirëpriti qëndrimin e Trumpit për të mos vendosur tarifa për shkak të Grenlandës.

“Kur Evropa reagon ndaj kërcënimeve me unitet dhe përdor mjete që ka në dispozicion, mund ta bëjë veten të respektueshme”, tha ai për gazetarët para samitit në Bruksel.

Bashkimi Evropian në këtë samit kishte planifikuar fillimisht të diskutojë për një përgjigje të përbashkët ndaj kërcënimeve amerikane për tarifa. Pritet që udhëheqësit evropianë të bisedojnë edhe për strategjinë e përgjigjes ndaj kërcënimeve të mundshme në të ardhmen nga presidenti Trump.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në ftesën drejtuar shefave të shteteve dhe qeverive të BE-së, theksoi se dëshiron një diskutim mbi sfidat në marrëdhëniet transatlantike, pasojat e tyre për Bashkimin Evropian, si dhe koordinimin e hapave të ardhshëm.

Parlamenti Evropian më 21 janar pezulloi procesin e ratifikimit të marrëveshjes tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në dritë të tensioneve lidhur me Grenlandën.

Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë për Grenlandën dhe raportet tregtare me SHBA-në.

SHIKONI EDHE: NATO shqyrton krijimin e “Rojës së Arktikut” për t’i zbutur tensionet SHBA–Danimarkë për Grenlandën

BE-ja synon që marrëdhëniet tregtare të jenë të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të sigurta, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë dëshiron të ketë në dispozicion kundërmasa të shpejta.

Sipas diplomatëve evropianë, blloku evropian dëshiron të përcaktojë qartë sa i fortë, i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm është aktualisht partneriteti transatlantik tregtar dhe aleanca ushtarake.

Fokusi i diskutimit pa dyshim do të jetë Grenlanda, dhe pritet që udhëheqësit të marrin më shumë informacione nga Danimarka.

Kryeministrja e vendit pas konfirmimit të arritjes së pajtimit për kornizën e marrëveshjes tha se shteti i saj është i gatshëm të bisedojë për sigurinë në Arktik, por insiston në respektimin e integritetit territorial.

Bordi për Paqe në agjendën e takimit të liderëve evropianë

Bashkimi Evropian aktualisht heziton të marrë pjesë zyrtarisht në Bordin e ri për Paqe, duke pritur sqarime shtesë nga pala amerikane, por edhe duke analizuar nëse pjesëmarrja në këtë trup lejohet nga kushtetutat e disa shteteve anëtare.

SHIKONI EDHE: Si u zhvillua ceremonia e themelimit të Bordit të Paqes?

Komisioni Evropian fillimisht përshëndeti idenë e këtij Bordi, por BE do të përpiqet të marrë një qëndrim të përbashkët edhe për këtë çështje. Për disa vende evropiane problematike është fakti që Trump ka ftuar në Bord edhe presidentët e Rusisë dhe Bjellorusisë, Vladimir Putin, dhe Aleksandar Lukashenko.

Megjithatë, unanmiteti për këtë çështje nuk është më i mundur, pasi në këtë Bord janë bashkuar Bullgaria dhe Hungaria.