Lexues të nderuar,
Këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të ceremonisë së themelimit të Bordit të Paqes për Gazën, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ku edhe Kosova bën pjesë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e jetësoi Bordin e Paqes, një nismë që ai thotë se synon të zgjidhë konfliktet globale dhe të promovojë stabilitet e paqe “në zonat e prekura apo të kërcënuara nga konfliktet”.
Në ceremoninë nënshkruese të nismës ndërkombëtare, që u zhvillua në Davos të Zvicrës, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.
Osmani tha se marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Bord do t’i dërgohet Kuvendit për ratifikim.
“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës”, shkroi ajo në Facebook pas ceremonisë së nënshkrimit.
Përveç Kosovës, në ceremoninë në Davos të Zvicrës morën pjesë udhëheqës nga Bahrejni, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Egjipti, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Mongolia, Pakistani, Paraguai, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistani. Që të gjitha këto shtete janë pajtuar që t’i bashkohen Bordit të Paqes.
Ky trup i ri fillimisht ishte i përqendruar në zbatimin e marrëveshjes për përfundimin e luftës Izrael-Gazë, ashtu siç është miratuar nëntorin e vitit të kaluar me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Por, Karta e Bordit nuk e kufizon rolin vetëm në Gazë.
“Ne do të punojmë me shumë të tjerë, përfshirë OKB-në”, tha Trump gjatë ceremonisë në Davos të Zvicrës, duke iu referuar me gjasë shqetësimeve se Bordi do të synojë të zëvendësojë OKB-së, institucion që Trump e ka kritikuar shpesh.
Bordi do të udhëhiqet nga Trumpi, ndërkaq ai do të ketë edhe Bordin Ekzekutiv ku janë emëruar si anëtarë: sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, miliarderi Mark Rowan, biznesmeni amerikan Ajay Banga dhe këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Robert Gabriel. Ndërkaq, Nickolay Mladenov, politikan bullgar do të jetë përfaqësues i Bordit të Paqes në Gazë.
Shtëpia e Bardhë ka dërguar ftesa në më shumë se 50 vende. Anëtarët janë ftuar që të kenë një mandat prej tre vjetësh. Pas përfundimit të këtij mandati, ata do të vendosin nëse duan të jenë anëtarë të përhershëm dhe për një status të tillë duhet të paguajnë 1 miliard dollarë.
Përveç shteteve që morën pjesë në ceremoninë në Davos, edhe Shqipëria, Izraeli, Egjipti, Bjellorusia dhe Vietnami janë pajtuar që të bëhen pjesë e Bordit. Trump ka thënë se edhe Rusia ka pranuar të jetë pjesë e tij. Pjesëmarrja e Rusisë në këtë trup është kundërshtuar nga Ukraina.
Më poshtë mund të shikoni një video përmbledhëse të asaj që ndodhi në Davos:
Faleminderit që na ndoqët!
Osmani: Anëtarësimi në Bordin e Paqes fuqizon sovranitetin e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar sërish pas themelimit të Bordit të Paqes, duke u shprehur se pjesëmarrja e vendit në këtë trup të ri ndërkombëtar fuqizon sovranitetin dhe pozicionin ndërkombëtar.
Ajo tha se do t’ia dërgojë Kuvendit të Kosovës për ratifikim këtë marrëveshje.
“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit”, shkroi ajo në Facebook.
Osmani e falënderoi presidentin amerikan, Donald Trump, për ftesën që t’i bashkohet Bordit, duke theksuar se “kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt”.
Trump synon paqen globale përmes Bordit të ri
Presidenti amerikan, Donald Trump, pas themelimit të Bordit të Paqes - trup i ri për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare - tha se do të punojë që të sigurojë paqe në mbarë botën.
“Ne do të punojmë me shumë të tjerë, përfshirë OKB-në”, tha Trump gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Davos të Zvicrës.
Për më shumë lexoni artikullin:
Abdixhiku: Çdo hap i përbashkët me SHBA-në e vendos Kosovën në anën e paqes
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mirëpritur përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes për Gazën, duke u shprehur se çdo hap i përbashkët me SHBA-në e vendos Kosovën në anën e paqes.
Sipas tij, përfshirja e Kosovës në këtë nismë ndërkombëtare të udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump, “është një moment që tejkalon secilin lajm ditor”.
“Në një botë gjithnjë e më të fragjile, çdo hap i përbashkët me SHBA-të është hap që forcon sigurinë tonë kombëtare, thellon aleancat tona strategjike dhe e vendos Kosovën aty ku i takon; në anën e paqes dhe aleancave të drejta”, shkroi ai në Facebook.
Abdixhiku tha se partia e tij e mbështet këtë hap të Kosovës drejt një kapitulli të ri.
“Sepse sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare para së cilave e me të cilat mburremi të gjithë”, u shpreh ai.