Përshëndetje të nderuar lexues,
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është duke e mbajtur një ceremoni për lansimin e Bordit të Paqes, i cili është themeluar fillimisht për ta mbikëqyr administrimin e Rripit të Gazës.
Kosova është në mesin e mbi 30 vendeve që kanë pranuar të jenë pjesë e bordit.
Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës, po merr pjesë në këtë ceremoni.
Ne do t’i përcjellim drejtpërdrejt zhvillimet në Davos, ku janë mbledhur shumica e udhëheqësve evropianë.
Qëndroni me ne!
Trump: Të gjithë duan të jenë në Bordin e Paqes
Trump sapo e ka filluar fjalimin e tij.
Ai thotë se kjo një "ditë shumë emocionuese, që është përgatitur gjatë".
Trump pretendon se "të gjithë" duan të jenë pjesë e Bordit të tij të Paqes.
Ai thotë se do të vazhdojë të "punojë me shumë të tjerë, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara".
Çfarë është Bordi i Paqes për Gazën në të cilin u ftua Kosova?
Ky mekanizëm është pjesë e planit 20-pikësh të presidentit Trump për t’i dhënë fund konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit - grupit të shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera.
Osmani në skenë me Trumpin dhe liderë të tjerë botërorë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është në skenë së bashku me shumë liderë të tjerë botërorë në ceremoninë e nënshkrimit të Bordit të Paqes.
Kosova pranoi të jetë anëtare themeluese e Bordit të Paqes për Gazën.
Osmani tha të mërkurën se "me krenari të madhe e kam pranuar këtë ftesë personale të presidentit Trump".
Ajo shtoi se Kosova, sado e vogël, "mund të japë kontribut të madh në realizimin e këtyre synimeve. Jam duke punuar afër me Shtëpinë e Bardhë që kontributi ynë të jetë konkret dhe domethënës”.
Më shumë rreth kësaj mund të lexoni në raportimet tona të mëhershme:
Rusia, Bjellorusia, Sllovenia, Tajlanda dhe krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian janë, gjithashtu, në mesin e të ftuarve të fundit.
Franca dhe Suedia janë ndër vendet që refuzuan ftesën.