Kompania shtetërore norvegjeze, Equinor, do t’i bashkohet skemës së përbashkët të Bashkimit Evropian për blerjen e gazit, me qëllim të nënshkrimit të më shumë kontratave afatgjata midis furnitorëve dhe klientëve.
Kështu deklaroi më 17 mars presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Shtetet e BE-së, si dhe Ukraina, po planifikojnë që bashkërisht të blejnë gaz në përpjekje për të përmirësuar sigurinë e furnizimeve të energjisë. Kontratat e para pritet të nënshkruhen gjatë kësaj vere.
“Ne jemi të lumtur që Equinor do t’i bashkohet skemës si furnizues”, tha von der Leyen për gazetarët, gjatë vizitës në platformën e gazit në Detin e Veriut.
“Qëllimi është që të kemi kontrata afatgjata”, tha ajo, duke shtuar se kushtet e marrëveshjeve do të varen nga kompanitë që do të përfshihen në këtë skemë.
SHIKONI EDHE: Në Evropë bie çmimi i gazitEquinor, që është shndërruar në furnizuesin më të madh me gaz në Evropë pas ndalesave të furnizimeve nga kompania ruse, Gazprom, ende nuk ka komentuar lidhur me këtë çështje.
Ministri i Energjisë së Norvegjisë më herët ka thënë se ai nuk ka frikë se platforma e përbashkët e gazit të Evropës, do të shndërrohet në një kartel blerësish që do të vinte Norvegjinë në disavantazh si furnizuese.
Ky shtet nordik ka kërkuar siguri nga BE-ja se blloku do të blejë gaz me kontrata afatgjate, në mënyrë që të ketë stimulime për të vazhduar prodhimin e gazit.