Bosnja nuk i jep shtetësinë menaxherit të lartë rus në Telegram

Ndërtesa e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës. Fotografi nga arkivi.

Shtetasi rus, Ilya Perekopsky, nënkryetar i aplikacionit Telegram, nuk do ta marrë shtetësinë e Bosnje e Hercegovinës.

Propozimi për dhënien e shtetësisë së Bosnje e Hercegovinës është hequr nga rendi i ditës i mbledhjes të së enjtes të Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë ministri i Transportit dhe Komunikimeve, Edin Forto.

Perekopsky, shtetas rus, kishte kërkuar shtetësinë e Bosnje e Hercegovinës si person me rëndësi të veçantë për shtetin.

Kërkesa është dorëzuar mbi bazën e rekomandimit të Odës Ekonomike të Republikës Sërpska, e cila ka vlerësuar se Perekopsky mund të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe proceset zhvillimore në Bosnje e Hercegovinë.

SHIKONI EDHE:

Serbia u jep shtetësi rusëve të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Ukraina

Si një nga arsyet për këtë rekomandim është përmendur synimi i tij për të blerë aksione në kompaninë EVA Genesis me seli në Banjallukë, e cila ka paralajmëruar investime në fushën e marketingut dhe komunikimit digjital, teknologjinë e informacionit dhe industrinë e modës.

Pronare e EVA Genesis është shtetasja ruse, Lyudmila Budilova, e cila në shtator të vitit 2025 po ashtu mori shtetësinë e Bosnje e Hercegovinës si person me rëndësi të veçantë për ekonominë, pas rekomandimit të Odës Ekonomike të entitetit të Republikës Sërpska.

Ministria e Çështjeve Civile e Bosnje e Hercegovinës kishte konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se në rastin e Perekopskyt, janë marrë opinionet e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Shërbimit për Çështjet me të Huajt dhe Zyrës për Legjislacion të Këshillit të Ministrave. Përmbajtja dhe rezultatet e verifikimeve të sigurisë nuk janë bërë publike.

Perekopsky është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të themeluesit të Telegramit, Pavel Durov. Para se t’i bashkohej Telegramit, ai ishte pjesë e drejtuesve të rrjetit social rus, VKontakte.

Perekopsky konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të themeluesit të Telegramit, Pavel Durov.

Që nga viti 2017, Perekopsky ka shërbyer si nënkryetar i Telegramit, dhe para kësaj, ai ishte ndër drejtuesit e rrjetit social rus VKontakte, i cili u themelua gjithashtu nga Durov.

Të dy u takuan gjatë studimeve në Universitetin Shtetëror të Shën Petersburgut dhe morën pjesë në zhvillimin e VK në fazat e tij të hershme.

Pasi u largua nga ajo kompani, Perekopsky hyri në sektorin fintech duke themeluar Blackmoon Financial Group, një kompani që zhvillonte platforma për financim alternativ dhe lidhte investitorët me platforma huadhënieje jashtë sektorit tradicional bankar.

Më vonë ai u përfshi në tregun e kriptomonedhave përmes projektit Blackmoon Crypto.

Në Telegram, ai ishte përgjegjës për segmentin financiar të biznesit dhe marrëdhëniet me investitorët, dhe gjithashtu mori pjesë në projektin blockchain TON (Telegram Open Network), përmes të cilit u mblodhën rreth 1.7 miliardë dollarë në vitin 2018.

Sipas profileve të publikuara në mediat sociale, Perekopsky deklaron se jeton në Dubai.

Ai poston kryesisht fotografi nga udhëtimet e tij në Instagram dhe e kaloi pjesën më të madhe të vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026 duke udhëtuar nëpër vendet afrikane.

Nuk ka postime në profilet e tij publike që tregojnë ndonjë qëndrim më të gjatë në Bosnje.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Perekopskyn nëpërmjet llogarisë së tij zyrtare në Instagram, si dhe një numri telefoni celular që kishte në dispozicion, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit të artikullit.