Çfarë po mëson Xi i Kinës nga lufta në Iran?

Transmetuesi shtetëror iranian pretendoi më 26 mars se ka transmetuar raketat e lëshuara kundër bazave izraelite dhe amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Kuvajt.

Lufta në Iran po i jep Pekinit mundësi për të parë në kohë reale se si Shtetet e Bashkuara zhvillojnë luftë moderne.

Kjo luftë ka treguar shtrirjen e fuqisë ushtarake amerikane, por ka ngritur edhe pyetje rreth aftësisë së Uashingtonit për të menaxhuar kriza të shumta njëkohësisht.

Për Pekinin, ky kombinim mund të ndikojë në mënyrën se si ai e vlerëson rrezikun apo kohën në ndonjë përballje të ardhshme me Shtetet e Bashkuara, apo me Tajvanin.

Për të kuptuar më mirë se çfarë po mëson Kina nga Irani, Radio Evropa e Lirë bisedoi me gjeneralin në pension nga Australia, Mick Ryan.

SHIKONI EDHE:

Ish-zyrtari amerikan: Lufta në Iran do t'i riformësojë dinamikat para samitit Trump-Xi

Radio Evropa e Lirë: Cili është mësimi kryesor që presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka nxjerrë deri më tani nga lufta në Iran?

Mick Ryan: Ka shumë mësime, por më i rëndësishmi që Xi ndoshta ka nxjerrë, është se ushtria amerikane mbetet një organizatë shumë e fuqishme.

Ajo mund të përdorë forcë të jashtëzakonshme dhe të kryejë operacione të qëndrueshme dhe të sakta - të paktën nga ajri dhe nga deti - për një periudhë kohore.

Kjo do të jetë shumë e rëndësishme për të dhe për Ushtrinë Çlirimtare Popullore (PLA), nëse ndonjëherë vendosin të ndërmarrin ndonjë bllokadë ose pushtim të Tajvanit.

Radio Evropa e Lirë: Lufta po ndodh brenda një konteksti më të gjerë, prandaj, nëse po flasim për mësimet që Xi mund t’i nxjerrë nga lufta në Iran, si duhet të kuptohet roli i fuqisë ushtarake amerikane në këtë pamje më të gjerë?

Mick Ryan: Pavarësisht aftësisë shumë të madhe të ushtrisë amerikane, ajo po përdoret nga një administratë që mund të bëjë vetëm një luftë në të njëjtën kohë.

Fokusi i administratës duket se lejon vetëm këtë, ndërsa shumë nga mekanizmat normalë të mbështetjes për vendimmarrje, që zakonisht kalojnë përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare, janë hequr.

Vendimet duket se po merren më shumë sipas impulseve, dhe, siç e kemi parë nga ndryshimet e shumta të objektivave strategjike në këtë luftë, kemi të bëjmë me një administratë që nuk e ka problem të nisë një operacion të tillë, pa e pasur domosdoshmërisht të qartë se çfarë dëshiron të arrijë nga një konflikt me përmasa të mëdha.

SHIKONI EDHE:

Lufta në Iran nuk shfaq shenja ngadalësimi as pas fjalimit të Trumpit

Radio Evropa e Lirë: Si mund të aplikohet kjo në një situatë të tillë si Tajvani? Si mund të ndikojë në përgatitjet e tij, ose në veprimet që do të ndërmerren në vitet e ardhshme?

Mick Ryan: Mendoj se kjo u tregon kinezëve se, nëse kanë një strategji më të mirë, kanë edhe një shans më të madh për sukses. Të jesh i aftë në operacione ushtarake, është e rëndësishme. Nëse nuk mund të fitosh beteja, nuk mund të fitosh luftëra.

Por, strategjia është edhe më e rëndësishme. Dhe, të kesh supozimet e duhura strategjike dhe mekanizmat e duhur për vendimmarrje... është diçka që kinezët mund të mendojnë se e bëjnë më mirë se Shtetet e Bashkuara.

Një diferencë në strategji gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të një lufte mund të jetë një avantazh real.

Radio Evropa e Lirë: Folët për njëfarë impulsiviteti që vjen nga Uashingtoni. Për Pekinin, mendoj se kjo mund të ketë dy drejtime, apo jo?

Mick Ryan: Po, absolutisht. Qartazi, është një shpatë me dy tehe.

Siç do ta kuptonin amerikanët… gjenerali Stonewall Jackson ishte një shembull i shkëlqyer i një udhëheqësi të paparashikueshëm nga Lufta Civile e SHBA-së.

Ai ishte i njohur për paparashikueshmërinë që i shkaktonte dëm armikut, por që, herë pas here, dëmtonte edhe forcat e veta. Mendoj se presidenti amerikan, Donald Trump, është në të njëjtin stil.

Ai është jashtëzakonisht i paparashikueshëm, dhe kinezët ndihen të shqetësuar nga kjo paparashikueshmëri. Trump është shumë ndryshe nga çdo paraardhës i tij, dhe kinezët nuk mund të parashikojnë realisht se si do të reagojë ndaj ndonjë ngjarjeje, sepse ai, thjesht, vepron në mënyrë të paparashikueshme.

Kjo, më shumë se çdo gjë tjetër, do ta shtyjë Xinë dhe Ushtrinë Çlirimtare Popullore të tregojnë kujdes, për shkak të pasigurisë së thellë ndaj vendimmarrjes së Trumpit.

Your browser doesn’t support HTML5

Trump për luftën në Iran: Pjesa më e vështirë është kryer

Radio Evropa e Lirë: Po flasim tani për luftën në Iran, por një luftë tjetër që po zhvillohet tash e disa vite, është ajo në Ukrainë. Çfarë mësimesh kanë nxjerrë kinezët nga Ukraina dhe si mund të kombinohen ato me mësimet nga Irani?

Mick Ryan: Kinezët kanë qenë shumë të mirë në studimin e luftërave të popujve të tjerë - që nga Lufta e Ishujve Falkland në vitin 1983 [midis Britanisë dhe Argjentinës] dhe gjatë gjithë 43 vjetëve pasues.

Ata kanë nxjerrë mësime politike rreth asaj se si funksionon NATO-ja si aleancë dhe si i merr vendimet. Ata kanë nxjerrë gjithashtu mësime rreth asaj se si mund t'i ndajnë aleatët e NATO-s nga Shtetet e Bashkuara.

Mendoj se kanë nxjerrë mësime edhe rreth fushatës globale të dezinformimit dhe kryerjes së luftës së informacionit.

Pastaj janë edhe ato të dukshmet rreth luftës me dronë. Në paradën e fundit të madhe ushtarake, vitin e kaluar, të gjitha automjetet e blinduara që kishte shfaqur Ushtria Çlirimtare Popullore, kishin dronë mbi to.

Ata i kanë marrë këto mësime nga Ukraina dhe i kanë përforcuar nga mësimet e marra nga lufta aktuale në Iran.

SHIKONI EDHE:

Ish-gjenerali amerikan: Dislokimi i forcave në Lindjen e Mesme, mesazh për Iranin

Radio Evropa e Lirë: Nëse do të ishit Xi sot dhe do ta shikonit atë që po ndodh në Iran, si do të ndiheshit për gjithë situatën? Ka një krizë globale energjetike dhe një pjesë e saj ndikon edhe në ekonominë tuaj... Si mendoni se ndihet Pekini për Shtetet e Bashkuara, përtej aspektit strikt ushtarak?

Mick Ryan: Nëse do të isha Xi, ndoshta do të mendoja se ideja e tij se Perëndimi po humbet fuqinë, është e drejtë. Po shihet shpërbërja e aleancave amerikane dhe rritja e mosbesimit midis aleatëve të SHBA-së dhe administratës Trump. Për Xinë, kjo e konfirmon parashikimin e tij afatgjatë për ngritjen e Kinës.

Nëse kjo është e saktë apo jo, mbetet të shihet, por mendoj se nga këndvështrimi i tij - dhe është e rëndësishme të theksohet se ai jeton në një “dhomë jehonash”, siç bëjnë shumë diktatorë - kjo është ndoshta ajo që ai sheh.

Nuk mendoj se kjo do të thotë se ai do të donte instiktivisht ta pushtonte Tajvanin javën tjetër, por mendoj se ai do të kërkonte mundësi të tilla.

Një administratë Trump, e cila i ka dëmtuar rezervat e saj të municioneve ushtarake për shkak të kësaj lufte dhe mund të jetë e shpërqendruar nga një fushatë e ashpër zgjedhore në Kongres nga tetori deri në nëntor, mund të shërbejë që kinezët të shohin një mundësi që mund të jetë tepër e mirë për t’u humbur.

SHIKONI EDHE:

Irani eksperimenton me doktrinën dhe teknologjinë kineze të luftës

Radio Evropa e Lirë: Ne kemi qenë të fokusuar te Kina dhe planet e saj për Tajvanin, por ka shumë opsione se çfarë mund të ndodhë: nga vendosja e një qeverie lokale besnike, te bllokada e ishullit, deri te skenari më ekstrem - pushtimi i plotë ushtarak. Nëse do të ishit një planifikues kinez dhe do t’i vlerësonit të gjitha këto opsione, a duket ndonjëri prej tyre më i mundshëm ose më i suksesshëm, duke parë edhe atë që po ndodh në Iran?

Mick Ryan: Të gjithë duhet ta kuptojmë rezultatin që ata synojnë: Xi beson se Tajvani duhet të bëhet pjesë e Republikës Popullore të Kinës. Mënyrat dhe mjetet e veprimit, siç e thatë edhe ju, nuk janë të sigurta. Ka shumë opsione të ndryshme, por mendoj se dy rrugë do t’u duken veçanërisht tërheqëse.

Njëra do të ishte një marrëveshje e madhe midis Trumpit dhe Xisë, përmes së cilës Trump do ta linte Tajvanin pas dore ose të paktën do të tregonte se nuk do ta mbronte atë.

Tjetra do të ishte mundësia për një sulm të shpejtë ushtarak nga Kina ndaj Tajvanit, për ta dobësuar dhe potencialisht për ta pushtuar.

Këto janë ndoshta dy opsionet kryesore për të cilat po planifikojnë, por ka edhe shumë variante të tjera që strategët kinezë i kanë menduar për dekada të tëra.

Intervista është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.
Përgatiti: Valona Tela