Në tetor, diplomati danez Thomas Frellesen, e mori detyrën e re si i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për Afganistanin. Mustafa Sarwar, redaktor i lartë i lajmeve në Radion Azadi, Shërbimin afagan të Radios Evropa e Lirë, bisedoi me të për kufijtë e bashkëpunimit me talibanët, kthimin e migrantëve afganë nga BE-ja dhe kërcënimet terroriste që vazhdojnë të vijnë nga Afganistani.
Radio Evropa e Lirë: Një delegacion i talibanëve ishte në Bruksel në qershor për të diskutuar dëbimin e afganëve. Si mund të negocioni me talibanët, ndërkohë që kufizimet ndaj grave afgane po ashpërsohen gjithnjë e më brenda Afganistanit?
Thomas Frellesen: Sa i përket situatës së grave në Afganistan, mendoj se BE-ja ka një bilanc shumë të mirë në nivel shumëpalësh. Me siguri e dini se BE-ja është hartuesja kryesore e rezolutave për të drejtat e njeriut në Afganistan, të cilat përgatiten në këtë kuadër, përfshirë edhe rezolutën e miratuar vitin e kaluar, me të cilën u krijua mekanizmi i pavarur hetimor.
Edhe në nivel dypalësh, situata e grave dhe vajzave në Afganistan është prioritet kryesor për ne. Ishte gjithashtu çështja e parë që ngrita gjatë vizitës sime të fundit në Kabul, ku zhvillova kontakte me autoritetet de facto.
SHIKONI EDHE:
Të përjashtuara nga talibanët, vajzat dhe gratë afgane po mbeten pa shkollim edhe në Iran e PakistanMë gjerësisht, që nga viti 2021, BE-ja e ka mbajtur të hapur delegacionin e saj në Afganistan dhe ka vazhduar të ofrojë ndihmë në nivel të lartë për popullin afgan. Gjatë pesë vjetëve të fundit kemi ndarë më shumë se dy miliardë euro ndihmë. E gjithë kjo është bërë bazuar në parimin: nga gratë dhe për gratë.
Radio Evropa e Lirë: Por, fakti është se BE-ja i priti talibanët në qershor dhe kjo u kritikua edhe nga grupe të ndryshme, përfshirë aktivistët afganë. Si mund ta shfrytëzojë BE-ja bashkëpunimin për çështjet e migracionit pa u dhënë talibanëve liri të pakushtëzuar veprimi?
Thomas Frellesen: Korniza jonë e përgjithshme për angazhimin në Afganistan lejon bashkëpunim teknik dhe operacional. Kështu duhet të shihet edhe takimi që u mbajt në qershor. Disa prej shteteve anëtare i kërkuan kolegëve tanë në Komisionin Evropian që të lehtësonin këtë diskutim me autoritetet de facto afgane. Për këtë arsye, takimi u organizua në Bruksel.
Në thelb, bëhej fjalë për të siguruar një qasje të përbashkët evropiane ndaj kthimit të migrantëve afganë dhe për të trajtuar aspektet praktike të procesit të ripranimit. Siç e dini, kthimet për të cilat po flasim kanë të bëjnë me migrantë që janë dënuar për vepra të rënda penale. Kjo përbën çështje serioze për një numër të shteteve tona anëtare.
Megjithatë, çdo vendim për kthim duhet të jetë në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe të drejtën ndërkombëtare.
SHIKONI EDHE:
Vizita e zyrtarëve talibanë në Moldavi shkakton stuhi politikeSiç thashë, bëhet fjalë për persona që paraqesin kërcënim për sigurinë ose që kanë kryer krime të rënda. Por vendimet individuale për kthim merren nga shtetet anëtare të BE-së. Kjo është kompetencë e tyre, ndërsa takimi i qershorit shërbeu për të lehtësuar kontaktet teknike me autoritetet talibane.
Dua ta theksoj se, për momentin, kjo nuk ndryshon asgjë. Nuk ka normalizim të marrëdhënieve mes BE-së dhe Afganistanit dhe kjo nuk përbën asnjë lloj njohjeje apo legjitimimi të autoriteteve de facto. Është shumë e rëndësishme të theksohet kjo.
Kthimi i migrantëve në Afganistan
Radio Evropa e Lirë: Por, duke qenë se Gjermania po u lejon zyrtarëve talibanë të drejtojnë zyra diplomatike dhe Franca, sipas raportimeve, po përpiqet ta bëjë të njëjtën gjë, a nuk po i njeh BE-ja gradualisht talibanët?
Thomas Frellesen: Jo, jo në rastin tonë. Nuk ka asnjë lidhje mes njohjes dhe këtij lloj bashkëpunimi teknik për kthimin e migrantëve në Afganistan. Nuk ka absolutisht asnjë lëvizje drejt normalizimit apo njohjes. Dhe këto dy çështje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ato nuk shtrohen në diskutimet për kthimin e migrantëve.
Radio Evropa e Lirë: Ekspertë të Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se kthimi i afganëve në vendin e tyre i ekspozon ata ndaj rrezikut real. Si i përgjigjeni këtij shqetësimi?
SHIKONI EDHE:
S’ka luftë, por as siguri reale për afganët nën sundimin e talibanëveThomas Frellesen: Natyrisht, ne jemi në dijeni të qëndrimeve të ekspertëve të OKB-së për të drejtat e njeriut...dhe, siç thashë më herët, shtetet anëtare të BE-së janë të detyruara të respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe kthimet duhet të bëhen në përputhje të plotë me të drejtat themelore, përfshirë parimin e moskthimit me forcë. (Ky parim ua ndalon shteteve kthimin e një personi në një vend apo territor ku ai rrezikon realisht të pësojë dëme). Prandaj, ne nuk shohim ndonjë problem në këtë drejtim.
Radio Evropa e Lirë: Sa i përket numrit të mundshëm, a dihet sa afganë pritet të dëbohen nga BE-ja? Qindra apo mijëra?
Thomas Frellesen: Jo, nuk mund të ta jap ndonjë shifër. Deri më tani, sipas të dhënave që kam, numri është shumë i kufizuar. Por, nuk jam në gjendje t'ju jap shifra konkrete. Bëhet fjalë për një numër shumë, shumë të vogël personash.
Radio Evropa e Lirë: Siç e dini, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC) thotë se prodhimi i opiumit në Afganistanin e kontrolluar nga talibanët është rritur pesëfish këtë vit. Sa ju shqetëson kjo dhe si do t'i ndihmoni fermerët afganë të gjejnë mënyra të tjera për të siguruar jetesën?
Thomas Frellesen: Po, ne e kemi parë raportin e UNODC-së dhe, natyrisht, jemi shumë të shqetësuar. Zhvillimi pozitiv i viteve të fundit ishte se ndalimi i kultivimit të lulëkuqes së opiumit, të paktën fillimisht, ndali një pjesë të madhe të prodhimit të drogës. Por tani kjo prirje po zhbëhet, të paktën pjesërisht, dhe ne jemi padyshim shumë të shqetësuar.
SHIKONI EDHE:
Pas ndalimit të opiumit, shfaqet një qendër e re globale e prodhimit në zonat kufitare të AfganistanitNuk jemi të vetmit. Veçanërisht të shqetësuara janë edhe vendet fqinje. Prandaj, ne jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë në rajon për këtë çështje.
Kjo tregon se ndalimi, në vetvete, nuk është i mjaftueshëm. Problemi është se shumë fermerë kanë nevojë për alternativa që t'u sigurojnë jetesën familjeve të tyre. Si BE, ne tashmë kemi qenë mjaft të angazhuar në programe për sigurimin e mjeteve të jetesës për afganët.
Kjo kërkon gjithashtu që autoritetet de facto të organizohen dhe të sigurojnë burime të mjaftueshme për njerëzit në rajonet ku duhet të gjenden alternativa për të siguruar jetesën. Pra, kjo është një çështje për të cilën autoritetet de facto, tani që janë në krye të vendit, duhet të dëshmojnë se janë në gjendje të qeverisin dhe të sigurojnë mirëqenie për popullsinë.
Shteti Islamik
Radio Evropa e Lirë: Në fund, le të flasim për kërcënimet e sigurisë, të cilat janë shqetësim i madh për BE-në. Si po i përcjell dhe si po i trajton BE-ja kërcënimet e mundshme që vijnë nga Afganistani nën sundimin e talibanëve, duke pasur parasysh se grupi militant Shteti Islamik, Provinca e Khorasanit (ISKP), sipas raportimeve, është ende aktiv?
Thomas Frellesen: Ky është shqetësim i madh për BE-në. Lufta kundër terrorizmit është ndër tri prioritetet tona kryesore. Ne duam të sigurohemi që Afganistani të mos shërbejë si strehë për grupet terroriste. Ky ishte edhe një zotim që e morën përsipër talibanët.
Natyrisht, jemi shumë të shqetësuar. Kemi gjithashtu një delegacion në terren, i cili po e përcjell nga afër situatën. Mbështetemi shumë edhe në raportimet e OKB-së, e cila ka ekspertizën e nevojshme në këtë fushë.
SHIKONI EDHE:
Arrestimi i një afgani nga FBI-ja nxjerr në pah kërcënimin nga Shteti Islamik-KhorasanKemi parë edhe raportin e fundit të ekipit të OKB-së për monitorimin e sanksioneve, të publikuar gushtin e kaluar. Sigurisht, duhet pranuar se talibanët kanë bërë mjaft përpjekje për të luftuar ISKP-në, pasi ky grup është armik i tyre.
Megjithatë, sipas informacioneve që marrim, ISKP-ja duket se vazhdon të jetë në gjendje të veprojë. Kjo na shqetëson jashtëzakonisht shumë. Është shqetësim edhe për partnerët tanë në rajon. Prandaj, ne shkëmbejmë rregullisht informacione me partnerët tanë në Azinë Qendrore dhe në rajone të tjera.
Por, nuk bëhet fjalë vetëm për ISKP-në. Kemi parë deklarata të Kinës dhe të vendeve të tjera, sipas të cilave në Afganistan janë aktive shumë grupe terroriste. Kjo përbën një shqetësim kyç.
Një pjesë e madhe e këtij fenomeni nxitet nga nevojat e mëdha dhe dëshpërimi i njerëzve, të cilët mund të rekrutohen lehtësisht nëse nuk i kanë kushtet e duhura për të siguruar jetesën.
Natyrisht, jemi shumë të shqetësuar edhe për tensionet mes Afganistanit dhe Pakistanit, si dhe për paqëndrueshmërinë në rajonet kufitare. Këto mund të krijojnë zona ku grupet terroriste mund të veprojnë më lirshëm.
Për këtë arsye, ne po mbështesim gjithashtu vendet që kanë ofruar ndërmjetësimin e tyre, me qëllim që të gjendet një rrugë e mirë përpara për të dyja palët.