Dhjetëra njerëz janë vrarë nga një sulm rus në qytetin ukrainas, Kramatorsk, të enjten, sipas autoriteteve vendase, një ditë pasi një valë sulmesh vdekjeprurëse la të paktën 25 njerëz të vdekur në mbarë Ukrainën.
Numri i të vrarëve nga sulmi në Kramatorsk është rritur në 33, ndërsa 18 të tjerë janë plagosur, sipas raportimeve të fundit nga autoritetet rajonale dhe zyra e prokurorit.
Pamjet e realizuara nga korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Serhiy Horbatenko, i cili e vizitoi vendin pak pas sulmit, tregojnë dy autobusë të shkrumbuar nga sulmi, ndërsa në vendngjarje shihen trupa të pajetë.
“Trupat janë të shtrirë pikërisht në mes të rrugës”, tha korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, duke përshkruar pasojat e sulmit vdekjeprurës.
Prokuroria Rajonale e Donjeckut tha se sulmi rus goditi dy autobusë të mbushur me udhëtarë.
Prokuroria tha se forcat ruse me gjasë përdorën bomba të telekomanduara për t’i goditur automjetet.
Sulmi ndodhi një ditë pasi u raportua se të paktën 25 njerëz u vranë në mbarë vendin, përfshirë dy në kryeqytetin Kiev, gjatë valës së sulmeve të së mërkurës.
Ky sulm ishte vazhdimësi e sulmeve pothuajse të përditshme, të cilat janë rritur vazhdimisht, në një kohë kur Kremlini po përballet me vështirësi në frontin e luftës.
SHIKONI EDHE:
Sulmet ajrore vrasin disa persona në Ukrainë, ndërsa Rusia përqendron sulmet ndaj objekteve energjetikeNë Priluki, rreth 150 kilometra në lindje të Kievit, ekipet e shpëtimit kërkuan nën rrënojat e një ndërtese të shkatërruar banimi për të mbijetuar pas një sulmi me raketa ruse të mërkurën, i cili vrau 22 njerëz, përfshirë pesë fëmijë.
Forcat ruse “shkatërruan” një ndërtesë banimi “si dhuratë për ditëlindje për Putinin”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një postim në X, duke e cilësuar atë si një nga sulmet “më të poshtra” të kohëve të fundit.
Ai theksoi se sulmet e së mërkurës në mbarë Ukrainën ndodhën në ditëlindjen e presidentit rus, Vladimir Putin.
Me afrimin e dimrit të pestë që nga fillimi i luftës, sulmet ruse ndaj Ukrainës janë bërë të përditshme.
Your browser doesn’t support HTML5
Një udhëtim "apokaliptik" nën dronë rusë drejt vijave të frontit në Ukrainë
Moska më parë ka kërkuar ta detyrojë Kievin t’i pranojë kërkesat e saj të ashpra duke sulmuar infrastrukturën energjetike të vendit dhe duke lënë mijëra njerëz pa ngrohje ose energji elektrike mes temperaturave të acarta.
Megjithatë, që nga ky vit, Kievi u është përgjigjur gjithnjë e më shumë sulmeve ruse me një fushatë sulmesh me rreze të gjatë, që kanë shënjestruar objekte ushtarake dhe energjetike brenda Rusisë, si dhe me sulme me rreze të mesme që kanë shënjestruar pikat kryesore logjistike ruse në rajonet lindore dhe jugore të pushtuara të Ukrainës.
Sipas kanaleve monitoruese në Telegram, dronët ukrainas goditën të enjten një qendër të dhënash të Yandex-it në rajonin rus të Rjazanit, duke shkaktuar zjarr dhe duke e detyruar kompaninë ta pezullojë punën në këtë objekt, i cili strehon dhjetëra mijëra serverë.
SHIKONI EDHE:
Ukraina godet Moskën në ditën e fundit të zgjedhjeve parlamentare në RusiYandex, kompania kryesore ruse e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë, konfirmoi sulmin ndaj qendrës së saj në Sasovo, një nga pesë qendrat e mëdha të dhënash që ajo zotëron. Kompania tha se po rikthente shërbimet e prekura.
Forcat ukrainase goditën gjithashtu të njëjtën ditë rafinerinë e naftës dhe kompleksin petrokimik Gazprom Neftekhim Salavat në Bashkortostan, duke shkaktuar zjarr, sipas ushtrisë ukrainase.
Mbrojtja ajrore ruse kapi dhe shkatërroi 399 dronë ukrainas gjatë natës, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes të enjten.