A do t’i mbijetojë diplomacia përshkallëzimit SHBA-Iran?

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, me homologun e tij nga Bahrejni, gjatë një vizite në këtë shtet më 24 qershor.

Pavarësisht sulmeve të reja amerikane ndaj Iranit, tensioneve në Gjirin Persik dhe propozimeve të ndryshueshme të presidentit, Donald Trump, lidhur me Ngushticën e Hormuzit, studiuesi i Lindjes së Mesme, Francis Gregory Gause, argumenton se diplomacia mbetet ende gjallë dhe se Uashingtoni dhe Teherani po përpiqen t’i përforcojnë pozitat e tyre para rikthimit të pashmangshëm në tavolinën e bisedimeve.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), Francis Gregory Gause III, profesor në Shkollën “Bush” për Qeverisje dhe Shërbim Publik në Uashington, foli për përshkallëzimin e fundit mes SHBA-së dhe Iranit, rëndësinë strategjike të Ngushticës së Hormuzit, ndikimin e një bllokade të re amerikane dhe arsyet pse ai beson se diplomacia mbetet e vetmja zgjidhje realiste për përfundimin e konfliktit.

Radio Evropa e Lirë: Kemi parë sulme të njëpasnjëshme amerikane brenda Iranit. Duke parë sulmet e fundit, çfarë ka ndryshuar në mënyrë strategjike mes Uashingtonit dhe Teheranit? Pavarësisht luftimeve, a janë të hapura kanalet e mirëfillta diplomatike?

Francis Gregory Gause: Mendoj se kanalet diplomatike janë ende gjallë. Besoj se edhe presidenti [i SHBA-së, Donald Trump] ka treguar se është më se i gatshëm të angazhohet në diplomaci. Mendoj se ka pasur një paaftësi kyç që të dyja palët të arrinin një mirëkuptim të përbashkët, madje edhe lidhur me memorandumin e mirëkuptimit.

Është e qartë se administrata e Trumpit mendonte se memorandumi i mirëkuptimit nënkuptonte se hapi i natyrshëm do të ishte rikthimi i gjendjes në status quo ante [në gjendjen e mëparshme]. Po aq e qartë ishte se iranianët e interpretonin memorandumin si një dokument që u jepte atyre një rol të drejtpërdrejtë në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit dhe në fund, të drejtën për të vendosur tarifa ndaj anijeve për përdorimin e saj. Fakti që të dyja palët nuk arritën të pajtoheshin as për një çështje kaq themelore tregon se memorandumi i mirëkuptimit kishte mangësi serioze.

SHIKONI EDHE:

"Sulmet do të vazhdojnë", ndërsa përplasja për Hormuzin intensifikohet

Pavarësisht rinisjes së sulmeve ushtarake nga të dyja palët, nga SHBA-ja dhe Irani, nuk shoh alternativë tjetër përveç rikthimit në tryezën e negociatave sepse asnjëra palë nuk mund ta mposhtë krejtësisht tjetrën. Këtë e pamë edhe gjatë periudhës më intensive të konfliktit në prill dhe maj. Në fund, të njëjtat arsye që shtynë Iranin dhe SHBA-në t’u riktheheshin bisedimeve do të rikthehen sërish.

Radio Evropa e Lirë: Sa nga pjesa e presionit aktual ushtarak lidhet me zhvillimet në fushëbetejë dhe sa ka për qëllim të ndikojë në rundin e ardhshëm të negociatave?

Francis Gregory Gause: Mendoj se gjithçka ka të bëjë me formësimin e rundit të ardhshëm të negociatave. Ka pak gjasa që një valë e re sulmesh ajrore, si ato që po shohim tani, do të rezultojë me ndryshim të regjimit. Thjesht, nuk shoh se mund të ndodhë një gjë e tillë.

Prandaj, besoj se strategjia ushtarake synon kryesisht të rrisë koston ekonomike, humbjet ushtarake dhe dëmet në infrastrukturën e Iranit, me qëllim që ta detyrojë Teheranin të rikthehet në tryezën e negociatave. Më pas, ndoshta një proces negociues më profesional nga ana amerikane mund të çojë në një marrëveshje, një memorandum mirëkuptimi ose një armëpushim që do të zbatohej.

“Bllokada është më efektive sesa sulmet ajrore”

Radio Evropa e Lirë: Presidenti Trump hoqi dorë nga propozimi i tij për vendosjen e një tarife prej 20 për qind për anijet tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, por administrata tani po zbaton një bllokadë të re ndaj porteve iraniane. Në aspektin praktik, si do të dukej një bllokadë e tillë?

Francis Gregory Gause: Mendoj se në praktikë kjo do të thotë që Marina e SHBA-së do të pozicionohet pranë porteve iraniane dhe në hyrje të Ngushticës së Hormuzit, duke ndaluar anijet për të cilat ka informacione se po lundrojnë drejt porteve iraniane.

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja kryen edhe një valë sulmesh kundër Iranit

Kjo ishte relativisht efektive herën e parë dhe besoj se ishte një nga faktorët që e shtyu Iranin të rikthehej në tryezën e negociatave. Do të jetë interesante të shihet se për sa kohë Irani do t’i rezistojë rikthimit në bisedime, pasi bllokada të nisë të japë efektet e saj.

Mendoj se bllokada është ndoshta mjeti më efektiv që SHBA-ja ka aktualisht në dispozicion, më shumë sesa sulmet ushtarake. Regjimi iranian ka përballuar sulme të ngjashme ushtarake për muaj të tërë, por bllokada, e vendosur fillimisht në maj, ishte ajo që përfundimisht e bindi udhëheqjen iraniane se duhej t’i hiqte kufizime për mbijetesën ekonomike të saj. Pikërisht kjo i solli fillimisht ata në tryezën e negociatave.

Radio Evropa e Lirë: Pra, ju ende besoni se bllokada mund të ketë ndikim të rëndësishëm në llogaritjet strategjike të Teheranit?

Francis Gregory Gause: Po. Mendoj se kjo do të jetë ajo që do të ketë ndikimin më të madh praktik në llogaritjet e Teheranit.

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja godet sërish Iranin pas rikthimit të bllokadës në Ngushticën e Hormuzit

Radio Evropa e Lirë: Irani ka vazhduar të tregojë se është në gjendje të krijojë pasiguri në rajonin e Gjirit. A i jep kjo Teheranit më shumë fuqi negociuese në bisedimet e ardhshme apo rrezikon ta izolojë edhe më shumë vendin?

Francis Gregory Gause: Mendoj se kjo i jep atij ndikim në negociata – pra, një avantazh në afat të shkurtër.

Megjithatë, në planin afatgjatë, nëse flasim për vite dhe jo për muaj, kjo do t’i nxisë aktorë të ndryshëm të gjejnë mënyra alternative për transportimin e mallrave drejt dhe nga vendet e tyre, pa u mbështetur te Ngushtica e Hormuzit.

Tashmë po shohim që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar për plane për ta zgjeruar ndjeshëm kapacitetin e tubacioneve drejt Gjirit të Omanit. Arabia Saudite tashmë ka një tubacion të madh drejt Detit të Kuq, teksa po diskutohen edhe plane për zgjerimin e tij. Edhe Iraku ka nënshkruar një marrëveshje të re me Turqinë për ta shfrytëzuar më shumë tubacionin e Kirkukut drejt Mesdheut.

Prandaj, mendoj se do të shohim shumë investime në alternativa ndaj Ngushticës së Hormuzit. Në afat të shkurtër, Irani për herë mund ta shfrytëzojë kontrollin që ka vendosur mbi ngushticën. Por, me kalimin e kohës, ky avantazh do të zbehet dhe do ta humbasë vlerën.

“Secila palë po teston se sa dhimbje mund të përballojë tjetra”

Radio Evropa e Lirë: Nëse të dyja palët vazhdojnë të këmbejnë sulme të kufizuara, duke shmangur një luftë shumë më të gjerë, a është kjo një strategji e qëndrueshme apo me kalimin e kohës bëhet gjithnjë e më e vështirë të mbahet nën kontroll?

Francis Gregory Gause: Për sa kohë që raketat vazhdojnë të lëshohen, ekziston gjithmonë mundësia që një goditje e paqëllimshme të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm. Ky rrezik ekziston gjithmonë.

Megjithatë, duket shumë qartë se administrata e Trumpit heziton që të ndërmarrë një hap të madh përshkallëzues, siç do të ishte dërgimi i trupave tokësore. Po ashtu, mendoj se iranianët kanë zhvilluar një mënyrë për t’iu kundërpërgjigjur shteteve të Gjirit, duke u shkaktuar dëme, duke dërguar mesazhe politike dhe duke i nxitur ato shtete që ta shtyjnë Uashingtonin drejt negociatave, teksa njëkohësisht shmangin një reagim shkatërrues ushtarak nga SHBA-ja. Prandaj, duket se po krijohet një model i caktuar. Të dyja palët janë të përfshira në lojën klasike, edhe pse të rrezikshme. Secila palë po teston se sa dhimbje dhe kosto mund të përballojë pala tjetër.

Nga ana e Iranit, bëhet fjalë për dëme ekonomike dhe shkatërrim të infrastrukturës. Nga ana e SHBA-së, kostoja përfshin rritjen e çmimeve të karburanteve, pasojat e brendshme politike që sjell kjo rritje si dhe presionin në rritje nga bashkësia ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të rikthyer rrjedhën normale të furnizimit me energji.

Ne e dimë nga faza e parë e konfliktit se të dyja palët, në fund, panë interes për t’i dhënë fund luftimeve ose të paktën për të arritur një armëpushim. Më duket se do të arrijmë sërish në atë pikë, ndoshta shpejt.

SHIKONI EDHE:

Epilogu i konfliktit në Iran "do të vendoset nga ajo se kush duron më shumë"

Çfarë duhet vëzhguar në të ardhmen

Radio Evropa e Lirë: Ju besoni se diplomacia është ende opsion. Cilat masa për ndërtimin e besimit do të tregonin se negociatat serioze po rifillojnë?

Francis Gregory Gause: Më duket se më parë kemi pasur ndërmjetës – Pakistanin dhe Katarin. Nëse ata bëhen sërish aktivë, ky do të ishte një sinjal i rëndësishëm se si Teherani, ashtu edhe Uashingtoni, janë të gatshëm të shqyrtojnë një lloj armëpushimi.

Megjithatë, treguesi më i rëndësishëm do të jetë nëse Irani është i gatshëm ta pranojë atë që administrata Trump besonte se ishte dakorduar tashmë në memorandumin fillestar të mirëkuptimit – përkatësisht, kalimin e lirë të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit. Nëse iranianët e pranojnë këtë, atëherë, sipas mendimit tim, ekzistojnë të gjitha gjasat që këtij konflikti t’i vijë fundi.

Irani mund ta pranojë kalimin e lirë të anijeve për më shumë se 60 ditë, pa hequr dorë nga pretendimi i tij afatgjatë se me kalimin e kohës duhet të ketë një rol në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit. Por, në afat të shkurtër, lejimi i qarkullimit të lirë të anijeve është çelësi për t’i dhënë fund kësaj faze të luftimeve.

Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, cilat zhvillime gjatë ditëve ose javëve të ardhshme do t'ju bindnin se dritarja për diplomaci po mbyllet?

Francis Gregory Gause: Nuk jam i sigurt se ditët e ardhshme janë afati i duhur kohor. Secila palë do të përpiqet të testojë vendosmërinë e tjetrës. Nga ana amerikane, kostoja politike vjen nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe mund të duhen javë, e jo ditë, që kjo të ketë një ndikim të ndjeshëm. Po ashtu, bllokada nuk do ta dëmtojë menjëherë ekonominë iraniane, por efektet e saj do të ndihen pas një kohe jo shumë të gjatë.

Prandaj, pres që ky këmbim zjarri të vazhdojë më shumë se vetëm disa ditë – ndoshta disa javë – përpara se të nisin negociata serioze, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të testojnë gatishmërinë e njëra-tjetrës për të përballuar koston dhe pasojat e konfliktit.

Përgatiti: Mimoza Sadiku