Pothuajse një muaj pasi dy dizajnerë të njohur iranianë u ndaluan nga forcat e sigurisë, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë publikuar një deklaratë, përmes së cilës kërkojnë që akuzat ndaj tyre të bëhen publike dhe që ata të kenë menjëherë qasje në ndihmë juridike të pavarur.
Aria Kasaei, 46 vjeç, dizajner i njohur grafik dhe themelues i studios së dizajnit Kargah, dhe Elaheh “Elly” Naghilou, 36 vjeçe, dizajnere grafike dhe kolege e Kasaeit, u ndaluan pas një takimi me persona të lidhur me Ambasadën e Francës në Teheran më 19 korrik.
Një ditë pas arrestimeve, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, bëri të ditur publikisht se dy zyrtarë të Ambasadës së Francës i ishin nënshtruar një “akti jashtëzakonisht serioz frikësimi” nga shërbimet iraniane të sigurisë gjatë incidentit.
Sipas Barrotit, diplomatët u ndaluan dhe u morën në pyetje për orë të tëra, ndërsa njëri prej tyre iu nënshtrua dhunës fizike, para se të dy të riatdhesoheshin në mënyrë të sigurt në Francë. Në deklaratën e tij nuk u përmendën artistët iranianë.
Hambood Collective, një shoqatë e pavarur e artistëve dhe aktivistëve, raportoi se forcat e sigurisë i arrestuan dy iranianët në të njëjtën kohë.
Zyrtarët gjyqësorë dhe ata të sigurisë nuk kanë dhënë asnjë shpjegim zyrtar për arrestimet, akuzat ndaj tyre apo vendndodhjen ku po mbahen.
Në një deklaratë të siguruar nga Radio Farda, shërbim në gjuhën persiane i Radios Evropa e Lirë, miqtë e dy të arrestuarve u zotuan se “nuk do të lejojnë që heshtja e imponuar ndaj tyre të jetë rrëfimi i vetëm i kësaj historie”.
“Duke pasur parasysh se dy përfaqësues francezë ishin dëshmitarë të një pjese të këtij incidenti, u bëjmë thirrje autoriteteve franceze të sqarojnë të gjitha aspektet e këtij arrestimi të paligjshëm, të sigurojnë informacion të saktë për gjendjen e Arias dhe Ellyt dhe të ndërmarrin veprime serioze për të garantuar të drejtat, sigurinë dhe lirinë e tyre”, thuhet në deklaratë.
Deklarata akuzoi gjithashtu Ministrinë e Inteligjencës për publikimin e një “rrëfimi të rremë lidhur me arrestimin dhe natyrën e veprimtarisë së tyre, me synim inkriminimin e tyre pa u dhënë mundësinë të përgjigjen”.
SHIKONI EDHE:
Parlamenti iranian shtyn përpara projektligjin që mund ta kthejë kontaktin me të huajt në vepër penaleKjo akuzë i referohet një deklarate të ministrisë të 15 gushtit, në të cilën pretendohej se qeveria franceze po organizonte një projekt për “infiltrim dhe ndërhyrje të huaj” në Iran. Ndërsa ministria paralajmëroi se diplomatët francezë të përfshirë në “sjellje të paligjshme ndërhyrëse” do të përballeshin me kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë, ajo nuk përmendi në mënyrë të qartë ndalimin e dy artistëve.
Sipas deklaratës, arrestimet ndodhën më 19 korrik gjatë një takimi profesional në shtëpinë e Kasaeit në Teheran.
Takimi, i cili sipas deklaratës ishte kërkuar nga sektori kulturor i Ambasadës së Francës në Iran, u ndoq nga atasheu kulturor francez dhe një tjetër punonjës i ambasadës. Ata diskutuan për nismën Villa Zadig, e cila në profilin e saj zyrtar në Instagram përshkruhet si një hapësirë kulturore artistike që synon të nxisë dialogun mes artizanatit tradicional iranian dhe artit, gjuhës dhe arsimit francez.
Autoritetet iraniane i trajtojnë rregullisht kontaktet me diplomatët perëndimorë dhe mediat e huaja si kërcënim për sigurinë kombëtare, duke burgosur shpesh qytetarë nën akuza për spiunazh ose përpjekje për përmbysjen e shtetit, për shkak të pjesëmarrjes në programe kulturore ose qytetare të mbështetura nga jashtë.
Më 17 gusht, parlamenti iranian, i dominuar nga forcat e vijës së ashpër, miratoi kornizën e një projektligji që kriminalizon ndërveprimet me mediat e huaja “armiqësore” dhe institucione të tjera me lidhje jashtë vendit.