Millorad Dodik, president i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), dhe kryeministri i Republikës Sërpska, Savo Miniq, u takuan të martën në Moskë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, pavarësisht izolimit ndërkombëtar të Putinit për shkak të luftës në Ukrainë.
Takimi u zhvillua pesë ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje e Hercegovinë, të caktuara për 4 tetor.
SHIKONI EDHE:
Zgjedhjet në Bosnje nën vëzhgimin e figurave të afërta me KremlininSipas Radiotelevizionit të Republikës Sërpska (RTRS), Putini shprehu mbështetje për koalicionin qeverisës në këtë entitet serb, të udhëhequr nga Dodiku.
“Ne nuk duam që ndikimi i huaj të jetë vendimtar. Duam një qasje më të drejtë ndaj serbëve dhe popullit serb. Duam stabilitet në të gjithë rajonin”, citohet të ketë thënë Putini, sipas RTRS-së.
Ndërkaq, Dodiku, në një deklaratë të publikuar nga RTRS, propozoi që një herë në vit të organizohen mbledhje të përbashkëta të qeverive të Federatës Ruse dhe Republikës Sërpska, ndërsa tha se e kishte uruar Putinin për fitoren.
“Edhe ne ndiejmë trysni nga Brukseli, por politikat tona mbeten të njëjta. Ne nuk lejojmë sanksione ndaj Rusisë. Mbështesim neutralitetin ushtarak dhe nuk lejojmë anëtarësimin në NATO. Nuk do të ketë vendosje të vizave për shtetasit rusë në Bosnje e Hercegovinë”, tha Dodiku, i cili publikoi edhe një video nga takimi në profilin e tij në rrjetin social X.
Putin, edhe para zgjedhjeve të viteve 2018 dhe 2022, publikisht i kishte uruar sukses Dodikut dhe partisë së tij, ndërsa Moska zyrtare në disa raste ka mbështetur qëndrimet dhe veprimet e autoriteteve të Republikës Sërpska, të udhëhequra nga SNSD-ja e Dodikut, si dhe ka bërë thirrje për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjën.
Ky është takimi i 11-të mes Dodikut dhe Putinit qëkurse Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022.
SHIKONI EDHE:
Dodik nuk e lë Rusinë as pas heqjes së sanksioneve nga SHBA-jaDodik dhe Putin kishin biseduar për herë të fundit në Moskë më 9 maj të këtij viti, në margjinat e shënimit të Ditës së Fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.
Dodik dhe delegacioni nga Republika Sërpska ishin të vetmit nga Evropa që morën pjesë në paradë.
Dodik ka deklaruar disa herë se nuk do të lejojë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa ministrat nga SNSD-ja e tij në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës bllokojnë vendimet me qëllim që të pengojnë sanksionet, të cilave Bosnje e Hercegovina iu bashkua për t’u harmonizuar edhe me politikën e Bashkimit Evropian ndaj Moskës.