Ndërlidhjet

Dodik nuk e lë Rusinë as pas heqjes së sanksioneve nga SHBA-ja

Takimi i fundit midis Dodikut dhe Putinit në Soçi të Rusisë, më 2 tetor 2025.
Takimi i fundit midis Dodikut dhe Putinit në Soçi të Rusisë, më 2 tetor 2025.

Sanksionet amerikane janë hequr, por narrativi prorus ka mbetur i njëjtë.

Këtë e tregon një analizë e Radios Evropa e Lirë, e bazuar në deklaratat që Millorad Dodik, udhëheqës i partisë qeverisëse në Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, u ka dhënë kryesisht mediave ruse.

Në pesë muajt e fundit, prej se SHBA-ja i ka hequr sanksionet kundër tij, ai është shfaqur vazhdimisht në media të lidhura me Kremlinin, si: RIA Novosti, Rusia 24 dhe Rusia 1.

Në deklaratat e dhëna, ai lavdëron presidentin rus, Vladimir Putin, dhe kritikon ashpër Perëndimin.

Rusinë e përshkruan si “një civilizim të ri”, ndërsa Bashkimin Evropian e akuzon për destabilizimin e Ballkanit - duke veçuar sidomos Gjermaninë.

Dodik ka paralajmëruar edhe një udhëtim në Rusi më 9 maj, në Ditën e Fitores, ku do të takojë, siç ka thënë, “miqtë e tij” - Putinin dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Nga Komisioni Evropian, jozyrtarisht, thonë për Radion Evropa e Lirë se nuk u japin rëndësi deklaratave të Dodikut në mediat ruse.

Deklaratat e Dodikut: Për Rusinë, kundër BE-së

Në një intervistë për mediat ruse, Dodiku vlerësoi Putinin, mbështeti pushtimin rus të Ukrainës dhe pretendoi se Perëndimi - i udhëhequr nga BE-ja - po punonte për të shpërbërë Rusinë.

Duke folur për agjencinë RIA Novosti në fund të marsit, ai tha se “Perëndimi dhe Bashkimi Evropian vazhdojnë të jenë shkatërrues” dhe “të demonstrojnë qëndrimin e tyre armiqësor” ndaj Republikës Sërpska.

Ai, gjithashtu, tha se dëshiron që Republika Sërpska të lidhet me rrjetin e gazit të Serbisë nëpërmjet tubacionit Interkonkeksioni Lindor, për të marrë gaz rus.

Pas kthimit të tij nga një vizitë në Shtetet e Bashkuara në fillim të shkurtit - e para që nga heqja e sanksioneve - Dodik tha se po vazhdonte bashkëpunimin e tij “strategjik” me Rusinë.

Ai e bëri të njëjtën deklaratë edhe në Izrael, në muajin janar, pas një takimi me ambasadorin rus atje.

Në një raport në janar të kanalit rus Rusia 1, për Ditën e Republikës Sërpska - një festë që Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës e ka shpallur disa herë të papajtueshme me Kushtetutën - Dodik deklaroi se Republika Sërpska “nuk do të heqë dorë nga ‘sovraniteti’ për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian”.

Një intervistë në dhjetor për kanalin televiziv Rusia 24 ishte e ngjashme.

Në të, ai e justifikoi pushtimin rus të Ukrainës dhe e akuzoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky - pa ndonjë provë - për pushtimin e territoreve të banuara nga rusët në Ukrainën lindore.

Pak kohë më parë, ai i tha agjencisë TASS se Bosnje e Hercegovina nuk do t’i bashkohej NATO-s, sepse Republika Sërpska e kundërshton një gjë të tillë, dhe shtoi se vetëm bashkëpunimi me Rusinë “mund ta shpëtojë Evropën nga kolapsi”.

Nga Moska kishte po ashtu mesazhe se, pavarësisht afrimit me Uashingtonin, ata ende e mbështesin Dodikun dhe partinë e tij, SNSD.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, në prag të zgjedhjeve të përsëritura presidenciale në Republikën Sërpska në fillim të shkurtit, deklaroi se bëhet fjalë për një fushatë nga Perëndimi “për ta destabilizuar Republikën Sërpska”.

Cila është strategjia e Dodikut?

Tanja Topiq, analiste politike nga Banjalluka, thotë për Radion Evropa e Lirë se Dodiku po ndjek politikën e “të ulurit në dy karrige”, duke u përpjekur të balancojë midis Moskës dhe Uashingtonit.

Kjo politikë, sipas saj, është e ngjashme me strategjinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ajo shton se Dodiku, pas heqjes së sanksioneve amerikane, e ka tërhequr veten ngadalë nga “përqafimi” i Rusisë, “megjithëse, nuk është tërhequr plotësisht nga ai përqafim dhe sigurisht që nuk do ta bëjë këtë”.

“Ai do të përpiqet të mos e rrezikojë vullnetin e mirë që SHBA-ja ka aktualisht, por, thjesht, do të përpiqet të balancojë dhe të luajë në dy karrige”, thotë Topiq.

Tanja Topiq
Tanja Topiq

Ajo kujton edhe fazën kontradiktore të politikës së Dodikut - derisa ishte nën sanksionet amerikane, ai kritikoi ashpër administratën e presidentit Joe Biden, ndërsa, paralelisht, Republika Sërpska ndau fonde të konsiderueshme për lobim për heqjen e tyre.

Atëkohë, thotë Topiq, ai përhapte “shumë hapur” narrativin prorus, që arriti të bëhej dominues në Republikën Sërpska. Tani këto marrëdhënie janë “nën frenat e dorës”, por janë ende të mira.

Prej se presidenti Donald Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, Dodiku dhe bashkëpunëtorët e tij politikë e kanë lavdëruar vazhdimisht administratën në Uashington.

A ka pasur kontakte të tjera me Rusinë?

Gjatë gjashtë muajve të fundit, kontaktet midis Republikës Sërpska dhe Rusisë kanë qenë kryesisht në nivelin e shkëmbimit kulturor dhe arsimor.

Zyrtari më i lartë i entitetit që udhëtoi në Rusi gjatë kësaj periudhe ishte Draga Mastilloviq, ministër i Zhvillimit Shkencor, Teknologjik dhe Arsimit të Lartë në Republikën Sërpska.

Ai ishte në Moskë në muajin mars për forumin “Rusia-Ballkani”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ambasadori rus në Bosnje dhe Hercegovinë, Igor Kalabuhov, i ndau Zhelko Budimirit, ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska, medaljen “Pushkin” - një çmim i lartë i Rusisë në fushën e kulturës, artit dhe forcimit të miqësisë midis popujve.

Medalja iu nda me dekretin e Putinit.

Ambasadori rus në Bosnje dhe Hercegovinë, Igor Kalabuhov, i ndau medaljen "Pushkin" ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska, Zhelko Budimir.
Ambasadori rus në Bosnje dhe Hercegovinë, Igor Kalabuhov, i ndau medaljen "Pushkin" ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska, Zhelko Budimir.

Dy javë para heqjes së sanksioneve, në mes të tetorit, një delegacion i Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, i udhëhequr nga presidenti Nenad Stevandiq, i cili ishte gjithashtu nën sanksione në atë kohë, vizitoi Asamblenë Legjislative të Shën Petersburgut.

Takime me Putinin, sanksione në Evropë

Në vitet e fundit, Dodik është takuar shpesh me Vladimir Putinin dhe kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Me presidentin rus u takua për herë të fundit në Soçi, në fillim të tetorit të vitit të kaluar, në margjinat e Klubit Ndërkombëtar të Diskutimit “Valdaj”.

Ai ishte takimi i tyre i nëntë që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Në atë kohë nuk u specifikua se në çfarë kapaciteti ishte Dodik, pasi ai nuk kishte pozitë në asnjë nivel qeverie.

Dodik u hoq nga pozita e tij si president i Republikës Sërpska pas një vendimi përfundimtar që lëshoi Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Ai vazhdoi të mirëpritej nga Putini, por jo edhe në disa vende evropiane.

Dodik është qysh më herët nën sanksione nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa, vitin e kaluar, edhe Gjermania, Austria, Lituania, Estonia dhe Sllovenia kanë vendosur sanksione kundër tij, duke i ndaluar hyrjen në ato vende.

Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që BE-ja të vendoste kolektivisht sanksione kundër Dodikut, por këto përpjekje kanë dështuar, sepse nuk e kanë pasur mbështetjen unanime nga të gjitha shtetet anëtare, konkretisht nga Hungaria.

Përgatiti: Valona Tela
Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG