As zgjedhjet e reja dhe as një vendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese nuk do t’i jepnin zgjidhje të qëndrueshme krizës institucionale në Kosovë, nëse partitë nuk tregojnë vullnet për kompromis dhe bashkëjetesë politike, thotë analistja politike, Donika Emini.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Emini thotë se partitë janë barrikaduar në pozicionet e tyre dhe nuk janë afër një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit. Sipas saj, pa ndryshuar raportet mes tyre, çdo rrugëdalje nga bllokada do të ishte vetëm e përkohshme dhe vendi rrezikon të kthehet sërish në të njëjtën pikë.
Emini vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje është në pozitën më të favorshme nga vazhdimi i bllokadës, pasi sipas saj, përmes Qeverisë në detyrë, vazhdon ta ushtrojë pushtetin pa mbikëqyrjen e një Kuvendi funksional.
“Sa më shumë të zgjasë kaosi dhe sa më pak të funksionojë mbikëqyrja institucionale, aq më shumë konsolidohet kontrolli i Vetëvendosjes”, paralajmëron ajo, duke shtuar se vazhdimi i kësaj gjendjeje mund të çojë gradualisht drejt kapjes së shtetit.
Megjithatë, ajo ia atribuon një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë edhe partive që deri më tani kanë qenë në opozitë, të cilat i përshkruan si të dobëta, të përçara dhe pa strategji të përbashkët. Sipas Eminit, vazhdimi i krizës mund t’iu konvenojë edhe atyre, nëse e shohin atë si instrument për ta sfiduar dhe dobësuar Vetëvendosjen.
Ajo nuk pret as ndonjë ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare, duke theksuar se përgjegjësia për daljen nga kriza u takon para së gjithash partive politike të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Për momentin nuk po shihet ndonjë përpjekje konkrete për marrëveshje politike, ndërsa partitë [PDK, LDK e Aleanca] e kanë refuzuar edhe ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentit për takim. Çfarë tregon kjo për thellësinë e krizës politike?
Donika Emini: Për momentin, ajo që po shohim është se partitë politike janë barrikaduar në pozicionet e tyre dhe nuk po shfaqin ndonjë vullnet serioz për kompromis apo negociata. Refuzimi i ftesës për takim nga partitë opozitare është një tregues i qartë se kriza është shumë më e thellë sesa një mosmarrëveshje për formimin e Qeverisë.
Në fakt, çështja nuk është vetëm Qeveria, të cilën Vetëvendosje mund ta formojë relativisht lehtë. Problemi kryesor është zgjedhja e presidentit, dhe pikërisht aty po vazhdojnë të njëjtat divergjenca politike që i kemi parë që nga shkurti i vitit 2025. Pra, nuk kemi parë ndonjë zbutje të qëndrimeve gjatë ditëve të fundit.
Përkundrazi, kemi një situatë ku kufijtë mes institucioneve dhe roleve politike janë bërë jashtëzakonisht të paqartë. Personat e njëjtë janë njëkohësisht deputetë, ministra, kryeministër, kryetar Kuvendi, president apo ushtrues të funksioneve të tjera institucionale. Kjo është një situatë e pazakontë dhe, në vend se ta ndihmojë zgjidhjen e krizës, e ka bërë edhe më të ndërlikuar.
SHIKONI EDHE:
Titullarët shtetërorë me legjitimitet të kontestuarPor, mendoj se duhet parë edhe kalkulimi politik. Vetëvendosje, edhe pse nuk mori rezultatet që do të dëshironte në zgjedhjet e fundit, është ende në një pozitë relativisht më komode se partitë opozitare. Prandaj, ekziston një dyshim i arsyeshëm se mund të jetë duke i shtyrë gjërat deri në kufijtë e afateve kushtetuese, me synimin potencial për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja.
Dhe këtu hyn edhe dobësia e opozitës. Partia Demokratike e Kosovës [PDK] vazhdon të ketë përçarje të brendshme, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] po përballet gjithashtu me një krizë të sajën, e cila tashmë është bërë më e dukshme publikisht. Në këtë konfigurim, një palë zgjedhje të reja mund të mos jenë domosdoshmërisht një skenar i keq për Vetëvendosjen.
Në fund të fundit, edhe në këtë situatë të bllokimit, Vetëvendosje vazhdon të ketë kontroll mbi institucionet, administratën dhe buxhetin përmes Qeverisë në detyrë. Pra, edhe pse politikisht kemi një krizë institucionale, në praktikë Vetëvendosje ende po e qeverisë vendin. Kjo e bën kalkulimin për zgjedhje të reja shumë më të favorshëm për të sesa mund të duket në shikim të parë.
Radio Evropa e Lirë: A shihni ende mundësi reale që partitë të arrijnë marrëveshje për një president konsensual para përfundimit të afateve kushtetuese?
Donika Emini: Jo, për momentin nuk shoh ndonjë mundësi reale që partitë të arrijnë një marrëveshje për një president konsensual brenda afateve kushtetuese. Kjo sepse ende nuk është definuar se si ky president konsensual do të dukej. Takimet, deklaratat dhe lëvizjet që kemi parë deri tani duken më shumë si veprime performative sesa si përpjekje reale për ta zgjidhur krizën.
SHIKONI EDHE:
Abdixhiku: LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë, presidenti të jetë jopartiakPartitë e dinin shumë mirë se çfarë situate i priste pas rezultatit të zgjedhjeve. Megjithatë, që nga viti 2025 nuk ka pasur ndonjë ndryshim të rëndësishëm në qëndrimet e tyre dhe nuk shoh ndonjë arsye të besoj se kjo do të ndryshojë në dy muajt e ardhshëm.
Në fakt, pjesa më e madhe e diskutimit është përqendruar te Qeveria dhe te mënyra se si do të ndahej pushteti, ndërkohë që elefanti në dhomë është zgjedhja e presidentit. Dhe pikërisht këtu partitë nuk duket se janë fare pranë një pozicioni të përbashkët.
Deri tani, asnjë emër që është përmendur apo diskutuar nuk ka dhënë ndonjë sinjal se mund të marrë mbështetjen e shumicës së aktorëve politikë që do të duhej të ishin pjesë e zgjidhjes.
Prandaj, mendoj se çështja nuk është vetëm cili do të jetë emri i presidentit. Çështja kryesore është nëse partitë janë të gatshme të bashkëjetojnë politikisht dhe të bëjnë kompromis. Dhe, këtu kam më shumë dyshime.
Për opozitën, për momentin, duket se përballja dhe sfidimi i Vetëvendosjes për çështjen e presidentit mbetet një nga instrumentet kryesore politike. Nëse vazhdimi i krizës shihet si një mënyrë për ta dobësuar Vetëvendosjen, atëherë ekziston shumë pak incentivë për të bërë kompromisin që do të ishte i nevojshëm për ta zgjidhur krizën.
SHIKONI EDHE:
Haxhiu: Partitë të flasin me emra të përveçëm për presidentinRadio Evropa e Lirë: Çfarë do të duhej të ndryshonte që kjo të ndodhte?
Donika Emini: Mendoj se ajo që duhet të ndryshojë është, para së gjithash, mënyra se si partitë politike e shohin njëra-tjetrën dhe mënyra se si e kuptojnë përgjegjësinë e tyre institucionale. Skena politike në Kosovë nuk mund të vazhdojë të jetë kaq e polarizuar. Duhet të ketë një kulturë kompromisi dhe bashkëjetese politike, sepse nëse sot problemi është presidenti, nesër do të jetë diçka tjetër.
Kjo krizë e ka treguar se bllokimi dhe shantazhimi institucional si instrumente politike e mbajnë shtetin në krizë të vazhdueshme. Prandaj, zgjidhja nuk është ndonjë formulë magjike apo ndonjë mekanizëm i ri që duhet ta shpikim. Zgjidhja ka qenë gjithmonë aty: partitë politike duhet të marrin përgjegjësi politike, të mësojnë të bëjnë kompromis dhe të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën, duke u udhëhequr nga interesat strategjike të vendit dhe jo nga interesat e ngushta partiake apo personale.
SHIKONI EDHE:
Rashiti: Përsëritja e zgjedhjeve e ka dërguar Kosovën në kriza më të thellaNë njëfarë mënyre, kjo krizë ka ndihmuar edhe në demistifikimin e Vetëvendosjes. Ajo ka ndërtuar për një kohë të gjatë narrativin se është ndryshe nga partitë e tjera. Por, mënyra se si është zhvilluar kjo krizë ka treguar se edhe Vetëvendosje është pjesë e të njëjtës kulturë politike. Përkundrazi, mënyra e saj e të bërit politikë ka kontribuar në krijimin e kësaj atmosfere të polarizuar dhe të bllokimit institucional.
Dhe kjo është veçanërisht problematike për një sistem demokratik ende të brishtë si Kosova. Institucionet duhet të funksionojnë, ndërsa mosmarrëveshjet politike duhet të zhvillohen përmes debatit demokratik dhe përplasjeve rreth politikave, jo përmes bllokimit të institucioneve.
Pra, rruga përpara është relativisht e thjeshtë: partitë duhet të jenë në gjendje të dakordohen për çështjet themelore të interesit shtetëror dhe t'i mundësojnë institucioneve të funksionojnë. Pastaj, dallimet politike le të zhvillohen në mënyrë demokratike, përmes politikave dhe debatit publik. Kjo do të ishte mënyra më e thjeshtë dhe më e qëndrueshme për të dalë nga kjo krizë.
Radio Evropa e Lirë: Si i vlerësoni veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje deri tani? A shihni një strategji politike pas mënyrës se si po menaxhohet kjo situatë?
Donika Emini: Po, unë shoh një strategji politike shumë të qartë në mënyrën se si Vetëvendosje po e menaxhon këtë situatë. Për mua, kjo nuk është thjesht një situatë kaotike apo një krizë që ka dalë jashtë kontrollit. Që nga viti 2025, por edhe më herët, Vetëvendosje ka pasur një strategji shumë të qartë operative dhe ka qenë në një pozitë të privilegjuar.
Edhe pse formalisht kemi një Qeveri në detyrë dhe një Kuvend që nuk po funksionon, në praktikë Vetëvendosje vazhdon të ketë Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën. Dhe, kjo është shumë e rëndësishme sepse në këtë moment nuk kemi një Kuvend funksional që ushtron kontroll dhe mbikëqyrje mbi institucionet.
Pra, Kosova nuk është plotësisht e paralizuar. Përkundrazi, gjatë kësaj kohe kanë vazhduar emërime dhe procese të rëndësishme institucionale. Pikërisht ky është vakuumi që i krijon Vetëvendosjes një pozitë shumë të favorshme: mund të vazhdojë të bëjë gjëra që ndoshta do ta kishte më të vështirë t’i bënte në një situatë normale, kur institucionet funksionojnë dhe kur ekziston mbikëqyrje më e madhe.
Kjo është edhe arsyeja pse mendoj se Vetëvendosje nuk ka ndonjë incentivë të madhe për ta zgjidhur krizën institucionale. Përkundrazi, sa më gjatë të zvarritet kjo situatë, aq më pak mbikëqyrje ka, aq më shumë kontroll ka dhe aq më shumë kohë i krijohet për ta konsoliduar agjendën e vet politike.
Edhe kalkulimi elektoral është i rëndësishëm. Nëse zgjedhjet shtyhen për dimër, kur diaspora është në Kosovë, kjo mund të jetë edhe më e favorshme për Vetëvendosjen. Diaspora nuk i përjeton në të njëjtën mënyrë pasojat e drejtpërdrejta të krizës institucionale dhe të jetës së përditshme në Kosovë. Ndërkohë, me një opozitë të dobët dhe të përçarë, Vetëvendosje e di se ka shumë pak gjasa të sfidohet seriozisht në zgjedhje të reja.
SHIKONI EDHE:
A mund ta zhbllokojë Gjykata Kushtetuese ngërçin në Kuvendin e Kosovës?Pra, në këtë konfigurim, situate është në favor të Vetëvendosjes. Ka zhvillime dhe vendime të ndryshme që mund ta forcojnë narrativin e Kurtit kundër partive të tjera, ndërsa vetë Vetëvendosje mbetet në pozitën më të mirë.
Sa më shumë të zgjasë kaosi dhe sa më pak të funksionojë mbikëqyrja institucionale, aq më shumë konsolidohet kontrolli i Vetëvendosjes. Dhe, pikërisht këtu qëndron shqetësimi im: nëse kjo vazhdon, mund të mos kemi më vetëm një krizë politike, por një proces që gradualisht mund të çojë drejt kapjes së shtetit.
Radio Evropa e Lirë: Sa përgjegjësi mbajnë partitë e tjera për bllokadën dhe a po veprojnë ato si një bllok me strategji të përbashkët, apo secila sipas interesave të veta politike?
Donika Emini: Partitë opozitare mbajnë një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë për këtë krizë. Pikë së pari, ato absolutisht nuk janë një bllok dhe kjo është dëshmuar gjatë viteve të fundit. Ato kanë pasur mundësi të paktën të ecin përpara me procese të caktuara dhe ta sfidojnë më seriozisht pozitën e Vetëvendosjes, por nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë, pikërisht sepse nuk janë një pol i unifikuar.
Madje, ato duket se duan të qëndrojnë sa më larg perceptimit se janë një front i përbashkët kundër [udhëheqësit të LVV-së, Albin] Kurtit, sepse kjo do ta ushqente narrativin që ai ka ndërtuar për ta: “ata kundër Vetëvendosjes”. Kjo është dëshmuar edhe nga fakti që [kreu i LDK-së] Lumir Abdixhiku është takuar me Kurtin dhe ka pasur edhe sinjale se mund të ketë pasur mundësi për ndonjë marrëveshje për bashkëpunim apo ndarje të pushtetit.
SHIKONI EDHE:
I vetëm “kundër të gjithëve”: Si i humbi Kurti aleatët dhe dështoi ta bënte qeverinëPrandaj, nuk do të thosha se duhet të jenë një bllok politik kundër Vetëvendosjes. Por, nëse të gjitha këto parti pretendojnë se kanë të njëjtin shqetësim, pra se Vetëvendosje po e kap shtetin, atëherë pyetja është pse nuk kanë arritur të paktën të koordinohen dhe të kenë një strategji të përbashkët për t’iu përgjigjur kësaj.
Në vend të kësaj, ato shpesh po e ndjekin Vetëvendosjen edhe në mënyrën e reagimit. Për shembull, mënyra se si po kërkohet mbajtja e seancave dhe njëkohësisht po bëhen veprime performative dhe bllokime fizike të institucioneve ngjan shumë me mënyrën e të bërit politikë që Vetëvendosje e ka përdorur në të kaluarën. Pra, pas pothuajse gjashtë vjetësh në opozitë, partitë e tjera ende nuk kanë zhvilluar një mënyrë të tyren për të bërë opozitë.
SHIKONI EDHE:
Ngërçi për Kuvendin hyn në fazë të re: PDK-ja kërkon seancë, LVV-ja marrëveshjeDhe problemi nuk është vetëm mungesa e koordinimit mes tyre. Këto parti kanë vështirësi edhe brenda vetvetes. Si PDK-ja, ashtu edhe LDK-ja po përballen me probleme dhe përçarje të brendshme. Pra, ato janë pjesë e kësaj krize, duan apo nuk duan.
Nëse duan ta paraqesin krizën vetëm si problem të Kurtit, është e drejta e tyre politike. Por, ato janë gjithashtu pjesë e mungesës së zgjidhjes. Kjo nuk do të thotë se duhet të votojnë çfarëdo që propozon Vetëvendosje, por së paku duhet të jenë në gjendje të kenë një qëndrim politik më të qartë, të koordinohen dhe të mos jenë kaq të humbura politikisht sa janë sot.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se zgjedhjet e reja janë diçka që partitë po përpiqen ta shmangin, apo për disa prej tyre mund të jenë tashmë një rezultat i dëshirueshëm?
Donika Emini: Mendoj se Vetëvendosje është partia që aktualisht është në pozitën më komode sa i përket zgjedhjeve të reja. Edhe nëse zgjedhjet organizohen deri në fund të vitit apo në një moment tjetër, nëse partitë vazhdojnë të qëndrojnë në këtë konfigurim, pozita e Vetëvendosjes është larg së qenit e sfiduar seriozisht.
Për partitë e tjera, situata është më e ndërlikuar. PDK-ja duket se po e lidh një pjesë të shpresave të saj me kthimin e [ish-kreu i PDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim] Thaçit, që potencialisht mund ta bashkojë dhe ta forcojë partinë nga brenda dhe ta ndihmojë të tejkalojë sfidat dhe krizën e brendshme me të cilën po përballet.
SHIKONI EDHE:
Aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së do të shpallet më 16 shtator, thotë gjykataPër LDK-në, ndërkaq, nuk është aq e qartë se cili do të ishte qëllimi i zgjedhjeve të reja. Është e vërtetë që në zgjedhjet e qershorit pati një rritje të lehtë të rezultatit krahasuar me dhjetorin, por nuk jam e sigurt se LDK-ja mund ta përballojë edhe një proces tjetër zgjedhor në gjendjen në të cilën ndodhet sot.
Dhe kjo situatë tregon se nuk mund të flasim për një qëndrim të unifikuar të partive ndaj zgjedhjeve të reja. Për Vetëvendosjen, ato mund të jenë një opsion shumë më i favorshëm sesa për partitë e tjera. Për PDK-në, shumëçka duket se lidhet me atë se çfarë do të ndodhë me Thaçin dhe nëse kthimi i tij do të ndikonte në forcimin e partisë. Ndërsa për LDK-në, një tjetër proces zgjedhor mund të jetë më shumë rrezik sesa mundësi.
Radio Evropa e Lirë: Kosova po i afrohet edhe një paqartësie tjetër juridike lidhur me ushtrimin e detyrës së presidentit, pasi Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës, në këtë post mund të qëndrojë deri më 4 tetor. Çfarë pasojash institucionale dhe politike mund të prodhojë skadimi i këtij mandati nëse kriza nuk zgjidhet?
Donika Emini: Mendoj se boshllëqet ligjore apo kushtetuese nuk janë diçka e re për sistemin politik të Kosovës. Nëse edhe këtë herë përballemi me një situatë të paqartë juridike, për shkak të përfundimit të mandatit të ushtrueses së detyrës së presidentit, atëherë ka shumë gjasa që çështja të dërgohet përsëri në Gjykatën Kushtetuese.
Por kjo, në njëfarë mënyre, mund të shndërrohet në një strategji për të fituar kohë. Pritet vendimi i Gjykatës, i cili potencialisht do të vendosë një precedent, dhe pastaj ne vazhdojmë të përballemi me sfida të reja.
Problemi, megjithatë, nuk ka qenë asnjëherë vetëm Kushtetuta. Problemi janë partitë politike. Nuk ekziston një kushtetutë në botë që mund t'i parashikojë dhe t'i mbushë të gjitha boshllëqet që krijohen nga dinamika e përditshme politike. Kushtetuta vendos bazën dhe përcakton se si është dizajnuar sistemi, ndërsa pjesa tjetër duhet të funksionojë përmes proceseve politike dhe institucionale që e mbështesin këtë strukturë.
SHIKONI EDHE:
Shoqëria civile i drejtohet Kushtetueses për afatin e konstituimit të KuvenditNë rastin e Kosovës, problemi është se nuk ka pasur një përpjekje të mjaftueshme për ta bërë këtë. Përkundrazi, shpesh përpjekja ka qenë që të sfidohet Kushtetuta, të gjenden boshllëqet dhe pastaj të shihet se si këto boshllëqe mund të përdoren në interes të partive politike.
Prandaj, nuk do të ishte e papritur që edhe një herë të kthehemi te Gjykata Kushtetuese, apo edhe të kemi shkelje të Kushtetutës para se çështja të shkojë atje, dhe pastaj vendimet e Gjykatës të përdoren përsëri si mënyrë për të fituar kohë.
Gjykata Kushtetuese, sigurisht, mund të japë një qartësi juridike. Por, pyetja është: çfarë egjidh kjo në aspektin politik? Kemi pasur shumë vendime dhe opinione të Gjykatës Kushtetuese gjatë viteve të fundit dhe ato nuk e kanë zgjidhur krizën politike.
Radio Evropa e Lirë: Nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje vetë, a ka nevojë për një ndërhyrje apo sqarim të ri juridik? Dhe, a ka ardhur momenti për një rol më aktiv të partnerëve ndërkombëtarë?
Donika Emini: Po, mund të ketë përsëri një ndërhyrje juridike përmes Gjykatës Kushtetuese, sidomos nëse krijohen situata të reja që kërkojnë sqarim. Por, problemi është se kjo mund të kthehet në një proces pa fund. Partitë mund ta sfidojnë një vendim, mund të krijojnë një situatë të re dhe pastaj të kërkohet përsëri një sqarim tjetër juridik. Këtë e kemi parë edhe më herët.
Dhe kjo, në njëfarë mënyre, është e përshtatshme për partitë, sepse çdo vendim apo procedurë e re juridike u jep atyre edhe më shumë kohë. Por, duhet ta kemi shumë të qartë se një sqarim juridik nuk e zgjidh krizën politike. Gjykata mund të japë qartësi se çfarë lejohet apo nuk lejohet në aspektin kushtetues, por nuk mund t’i detyrojë partitë të bëjnë kompromis.
Sa i përket ndërhyrjes së partnerëve ndërkombëtarë, nuk mendoj se jemi më në fillim të viteve 2000. Komuniteti ndërkombëtar sot nuk është ai që ishte atëherë dhe Kosova nuk është më në të njëjtin pozicion në agjendën ndërkombëtare. Jemi pjesë e një periferie ku Kosova nuk është prioritet, as për Bashkimin Evropian dhe as për Shtetet e Bashkuara.
Fakti që Shtetet e Bashkuara nuk kanë aktualisht ambasador në Kosovë dhe funksionojnë me një të ngarkuar me punë tregon shumë për nivelin e prioritetit që i jepet rajonit në përgjithësi, por edhe Kosovës në veçanti. Edhe vendet evropiane nuk kanë shumë interes të angazhohen në një krizë të tillë, sidomos përderisa nuk ka një kërcënim të drejtpërdrejtë të sigurisë, qoftë në veri apo në përgjithësi.
Në këtë kuptim, mungesa e institucioneve funksionale në Kosovë madje mund të jetë një arsye e mirë që partnerët ndërkombëtarë të mos merren shumë me këtë çështje, përderisa nuk ka ndonjë urgjencë të sigurisë.
SHIKONI EDHE:
E zhytur në krizë institucionale, Kosova rrezikon humbjen e përhershme të milionave nga BE-jaNdërkohë, Kosova po humb kohë në procesin e integrimit evropian, në zbatimin e Planit të Rritjes dhe në përfitimin nga fondet që lidhen me të. Nëse afatet vazhdojnë të mos respektohen, ekziston edhe rreziku që këto fonde të ridestinohen te vendet e tjera.
Por, në përgjithësi, nuk shoh ndonjë urgjencë të madhe nga komuniteti ndërkombëtar për të ndërhyrë. Bota është shumë më e fragmentuar, partnerët ndërkombëtarë nuk kanë më të njëjtat interesa, as në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Ukraina dhe shumë pika të tjera të krizave ndërkombëtare janë më lart në agjendë. Askush nuk ka sot të njëjtin kapital diplomatik dhe politik për ta investuar në Kosovë.
Gjithashtu, nuk mendoj se duhet të presim që komuniteti ndërkombëtar ta zgjidhë këtë krizë. Kosova është shtet i pavarur dhe përgjegjësia për funksionimin e institucioneve të saj bie, para së gjithash, mbi partitë dhe aktorët politikë të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Në këtë pikë, cili do të ishte skenari më realist për daljen nga kriza dhe cilët janë hapat që duhet të ndodhin të parët?
Donika Emini: Skenari më realist është që partitë politike më në fund të kuptojnë se kjo krizë nuk mund të zgjidhet përmes bllokimit, përmes gjetjes së boshllëqeve kushtetuese apo duke e shtyrë problemin te Gjykata Kushtetuese. Këto mund të blejnë kohë, por nuk e zgjidhin krizën.
Hapi i parë duhet të jetë një vullnet real politik për kompromis. Partitë duhet të ulen dhe të diskutojnë seriozisht për çështjet që janë në tryezë, mbi të gjitha për presidentin dhe funksionalizimin e institucioneve. Nuk mendoj se zgjidhja është që partitë opozitare të bëhen një bllok kundër Vetëvendosjes, por duhet të ketë së paku koordinim dhe një minimum të përbashkët të interesave që ato i konsiderojnë të rëndësishme për funksionimin e shtetit.
Në të njëjtën kohë, Vetëvendosje duhet ta kuptojë se pozita e saj e favorshme nuk mund të përdoret pafundësisht për ta zvarritur krizën. Për momentin, ajo është në pozitën më komode, sepse edhe në kushtet e krizës vazhdon të ketë shumë kontroll institucional dhe opozita është e dobët dhe e përçarë. Por, kjo nuk do të thotë se vazhdimi i krizës është në interesin e shtetit.
Pra, hapi i parë është që partitë të marrin përgjegjësi politike dhe të pranojnë bashkëjetesën politike. Pastaj duhet të funksionalizohen institucionet dhe të zgjidhen çështjet konkrete që kanë mbetur pezull.
Nëse partitë vazhdojnë ta shohin njëra-tjetrën vetëm si kundërshtarë që duhet të bllokohen, atëherë nuk besoj se ka ndonjë skenar magjik që mund ta nxjerrë Kosovën nga kjo krizë. Mund të kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, mund të kemi edhe zgjedhje të reja, por nëse kultura politike dhe raporti mes partive nuk ndryshojnë, atëherë rrezikojmë të kthehemi përsëri në të njëjtën pikë.
Zgjidhja është relativisht e thjeshtë: institucionet duhet të funksionojnë, partitë duhet të komprometojnë dhe dallimet politike duhet të zhvendosen nga bllokimi institucional drejt debatit demokratik dhe politikave konkrete. Pa këtë ndryshim, çdo zgjidhje tjetër do të jetë vetëm e përkohshme.