Rama: Masë ekstreme ndaj Hysenit, në Këshillin e Sigurisë do të diskutohet për përgjegjësitë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi “masë ekstreme” vendimin për arrest shtëpiak ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, të marrë nga Gjykata e Posaçme, duke paralajmëruar se për përgjegjësitë institucionale në këtë çështje do të diskutohet në Këshillin e Sigurisë së Shqipërisë.

Në një deklarim nga aeroporti “Nënë Tereza” me t’u kthyer nga Nju Jorku, ku mori pjesë në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Rama ai nuk do të ndërhyjë në përmbajtjen e dosjes apo vlerësimin e provave.

Më 24 shtator, Hyseni u paraqit para Gjykatës së Posaçme të Shqipërisë, e cila mbajti në fuqi masën e arrestit shtëpiak. Ish-shefja e SHISH-it dyshohet për veprat penale “zbulimi i të dhënave sekrete” dhe “përkrahja e autorit të krimit”, në kuadër të hetimit të dosjes për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

“Unë nuk kam as të drejtën dhe as qëllimin të hyj në përmbajtjen e dosjes, në vlerësimin e provave apo në arsyet që e kanë çuar Prokurorinë ta kërkojë dhe Gjykatën ta vendosë atë masë”, deklaroi Rama.

SHIKONI EDHE:

Gjykata vazhdon masën e arrestit shtëpiak për Vlora Hysenin, përplasje në Kuvend për rastin e ish-shefes së SHISH-it

Kreu i Qeverisë shqiptare theksoi se çdo dyshim duhet të hetohet dhe çdo akuzë të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm.

Ai u shpreh se e konsideroi rastin Hyseni një çështje shtetërore.

“Kur puna e hetimit ngjitet deri tekkreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur. Ky është një problem i krejt shtetit”, deklaroi Rama.

SHIKONI EDHE:

Rasti Hyseni ngre pikëpyetje për sigurinë dhe besimin e partnerëve të Shqipërisë

Ai shtoi se situata prek edhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, duke argumentuar se nuk bëhet fjalë vetëm për një çështje penale individuale.

“Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Kurse mbrojtja e SHISH-it, dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e të gjithë shtetit. Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet kurrsesi si ndarje nga përgjegjësia shtetërore”, theksoi kreu i ekzekutivit shqiptar.

Rama tha se të hënën, më 28 shtator, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë, i thirrur nga presidenti Bajram Begaj, dhe sipas tij, aty është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet, e mbi të gjitha ato të sigurisë kombëtare, kur drejtuesit apo punonjësit e tyre, siç tha Rama, “rrëshqasin nga binarët e bëhen subjekt i një hetimi penal”.

Hyseni, e kishte drejtuar SHISH-in që nga viti 2023. Paraprakisht, ajo kishte shërbyer si zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Ajo u shkarkua nga ky post në vitin 2021 nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës nuk dha hollësi për arsyet e shkarkimit. Në komunikatën e atëhershme thuhej se vendimi ishte mbështetur në Ligjin për AKI-në. Në të njëjtën komunikatë përmendej se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara” përbënte vepër penale sipas legjislacionit në fuqi.

SHIKONI EDHE:

Shkarkohet zëvëndësdrejtorja e AKI-së, Vlora Hyseni

Pas largimit nga AKI-ja, Hyseni u bë këshilltare për sigurinë kombëtare e kryeministrit Edi Rama në shtator të vitit 2021.

Ndërkaq, para se të dekretohej si udhëheqëse e SHISH-it më 2023, opozita shqiptare i kishte kërkuar presidentit Bajram Begaj të merrte informacione për arsyet e shkarkimit të Hysenit nga AKI-ja.

Por, Rama gjatë deklarimit të dielën e 27 shtatorit tha se emërimi i Hysenit në krye të SHISH-it bazuar mbi “referencat e shkëlqyera të marra nga shërbimet partnere”.

Ai theksoi se fakti që drejtësia prek edhe njerëz me funksione të larta, edhe anëtarë të Qeverisë a bashkëpunëtorë të saj, nuk provon kurrsesi se korrupsioni po rritet.

Rama iu përgjigj dhe opozitës dhe protestuesve, që kërkojnë dorëheqjen e tij, duke deklaruar se askush dhe asgjë nuk do ta ndalë. Ai tha se kryeministri nuk mund ta dijë se vartësi i tij po shkel ligjin.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit, që njihet si SPAK, përveç masës së arrestit shtëpiak kishte kërkuar edhe pezullimin e Hysenit nga detyra. Më 22 shtator, kur u bë publik lajmi për kërkesën e SPAK-ut, Rama njoftoi për shkarkimin e “menjëhershëm” të Hysenit nga detyra. Më pas, vendimi u dekretua nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Hyseni dyshohet se i ka dhënë informacione Ergys Agasit, një nga të akuzuarit në dosjen “AKSHI” për manipulim të tenderëve shtetërorë.

AKSHI është institucion që administron dhe zhvillon infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Qeverisë shqiptare.

Në kuadër të hetimit për këtë çështje, Gjykata e Posaçme në Shqipëri ka caktuar masa sigurie edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë një punonjës të Institutit të Policisë Shkencore dhe një biznesmen.