Emigrimi i gaforreve të kuqe në Ishullin e Krishtlindjeve

Ishulli i Krishtlindjeve është territor i Australisë, me sipërfaqe prej 135 kilometrash katrorë, në Oqeanin Indian. Me nisjen e sezonit të ri të shirave monsunike fillon edhe emigrimi masiv i gaforreve të kuqe, një specie endemike që jeton gjatë tërë pjesës tjetër të vitit në pyje shiu.

Rreth 40 milionë gaforre të kuqe dalin në breg, ku çiftohen, ndërsa femrat i lënë vezët e tyre në det.

Emigrimi varet ekskluzivisht nga moti dhe nga lëvizja e hënës, prandaj nëse shiu vonohet, gaforret nuk lëvizin drejt bregut derisa të dalë hëna e re e radhës, kur femrat i lëshojnë vezët e tyre.

Gjatë emigrimit të gaforreve të kuqe, banorët e Ishullit të Krishtlindjeve bëjnë gjithçka që është e mundur, vetëm e vetëm që të mos i lëndojnë ato. Rruga e Gecarcoidea natalis drejt destinacionit të tyre përfundimtar është plot pengesa.

Autoritetet lokale kanë ndërtuar ura dhe tunele, ndërsa në kohën kur ndodh emigrimi i përvitshëm masiv i gaforreve të kuqe, trafiku ndërpritet, ndërsa njerëzit mblidhen për të shikuar.

Pamja e gaforreve nëpër rrugë dhe në bregdet është e veçantë, prandaj shumë njerëz shkojnë për t’i shikuar ato.

Pas çiftimit, gaforret meshkuj kthehen në xhungël, përderisa femrat qëndrojnë në strofka për rreth dy javë, për t’i bërë vezët. Secila gaforre femër bën deri në 100 mijë vezë, të cilat i mban nën bishtin e saj.